Denoncon deputeti i PD-së: Ministria e Arsimit, evazion fiskal me sigurimet e mësuesve

Mos i humb

Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi ka denoncuar sot Ministrinë e Arsimit, se nëpërmjet Drejtorive Arsimore Rajonale, po konsumon veprën e evazionit fiskal, duke mos paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për disa mësues.

Nëpërmjet një dokumenti të publikuar nga deputeti i PD-së duket qartë se në deklaratën tatimore për një mësues, pagesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në favor të tij, është kryer në mënyrë të çrregullt dhe jo për të gjitha muajt.

“Fakti i sotëm është më tronditës dhe skandali më i madh. Ministria, nëpërmjet DAR-(je)ve, u mohon mësuesve, pa dijeninë e tyre, pagesat për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Megjithëse janë definitivë, Ministria i konsideron sikur ata punojnë në të zezë, sikur të ishin emigrantë në vendin e tyre. E bën këtë tinëzisht, në shkelje të plotë me ligjin, duke konsumuar kështu një krim financiar. Në qoftë se do ta bënte këtë një biznes qoftë dhe i vogël e priste menjëherë dera e burgut. Mësuesi është tronditur teksa ka parë në dokumentin e kërkuar prej tij, nga Drejtoria e tatimeve, se sigurimet e tij mungonin në disa muaj. Ai privohet në këtë mënyrë në përfitimin e plotë të pensionit dhe shërbimeve shëndetësore”, deklaroi Boçi.

Më herët, deputeti i Partisë Demokratike pati denoncuar problemet me pagesën e udhëtimit ndaj mësuesve që punojnë larg zonës së tyre rezidenciale, çështje për të cilën Ministria e Arsimit zgjodhi rrugën e heshtjes.

 Top Channel
- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit