Disa persona, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar Sokol Mëngjesin, një nga avokatët e Sali Berishës.
Mëngjesi ndodhet në spital ku po merr ndihmë mjekësore. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
“Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin Sokol Mëngjesi, me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është normale”, njoftoi policia.
Tre persona, të cilët ka dyshime se kishin planifikuar gjithçka, pasi prej ditësh mendohet se ndiqnin avokatin, i kanë zënë këtij të fundit dhe e kanë dhunuar. Kjo gjë është faktuar dhe nga kamerat e sigurisë të zonës që duket se kanë filmuar gjithçka.
Sakaq, avokati ndodhet në spital, pasi ka dëmtime në kokë dhe trup, për shkak të goditjeve që ka pësuar nga grushtet, por dhe leva.
Policia po punon për identifikimin e autorëve.
Sakaq, në vendin e ngjarjes ndodhet një grup i posaçëm hetimor i ngritur nga prokuroria dhe komisariati nr.2.


