Dosja në ngarkim të Nevaldo Hajdarajt ka kaluar sot për gjykim ndërsa vetë ish-polici i akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës, i ka kërkuar falje të atit të 25-vjeçarit për aktin e rëndë.
Qazim Rasha në përfundim të seancës tha për mediat se do që drejtësia të vihet në vend dhe ndaj ishte i pranishëm edhe në sallën e gjyqit.
“Plaga ime është dhe e juaja, kam kërkuar që ditën e parë drejtësi dhe vetëm drejtësi. Sot erdha të shikoj dhe të dëgjoj ballë përballë çfarë do të thotë drejtësia. Mendoj se asnjë zemër nëne të mos plagoset dhe asnjë zemër djali ose vajze të vritet në mënyrë macabre siç u vra djali im”, tha Rasha.
Avokati i efektivit të policisë Nevaldo Hajdaraj kërkoi ndryshim të akuzës nga vrasje me dashje në vrasje në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme.
Vetë Hajdaraj në seancën e sotme, gjatë gjithë kohës ka qendruar me kokën ulur.


