Premtimet e pambajtura, abuzimi me fondet dhe tjetërsimi i parqeve për kulla nga kryebashkiaku Erion Veliaj, ka qenë tema e emisionit 31 minuta të transmetuar në RTSH në puntatën e fundit. Ky emision i mbështetur financiarisht nga Ambasada e SHBA, është reklamuar nga kjo e fundit edhe në rrjete sociale me një ripostim në faqen zyrtare të ambasadës. Nuk dihet nëse ky është një mesazh apo qëndrim i ambasadës së SHBA kundër kryebashkiakut Erion Veliaj, por ai vjen në një kohë fushate, që duket se do të ketë jo pak kosto për drejtuesin e fushatës së PS-së në Tiranë, Erion Veliaj.
Shihni temat investiguese që do të transmetohen sonte në darkë në 31 Minuta, një emision i prodhuar nga RTSH Radio Televizioni Shqiptar dhe Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, me mbështetjen e Ambasadës së SHBA.
Por cila është përmbajtja e kërtij dokumenatari? Materiali nis me premtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj i cili sapo kishte fituar zgjedhjet me premtime të mëdha, e për ndalimin e ndërtimit të kullave në hapsirat e gjelbërta. Në fokus është Parku i Besimit, një prjoket që kishte për qëllim rehabilitimin e parqeve të gjelbërta përgjatë Bulevardit Dëshorët e Kombit, që edhe pas 5 viteve nuk është realizuar kurrë.
Si kryebashkiaku Erion Veliaj ashtu edhe nënkryetari i Bashkisë Arbjan Mazniku kanë refuzuar që të flasin për këtë projekt, ndërsa ish-zëvendës kryeministri Niko Peleshi ja la përgjegjësinë Bashkisë së Tiranës. Por jo vetëm premtimi i pambajtur, në këtë dokumentar ngrihen pikpyetje se si u shpërdoruan 60 milionë lekë për shqyrtimin e projektit, fonde të çuara dëm, e pa një përgjegjës për këtë shpërdorim.
Më pas dokumentari bën edhe një vëzhgim mbi situatën aktuale të këtyre parqeve, ku disa prej tyre janë në gjendje e para 5 viteve, ndërsa fokusi është në hapsirën publike pas ish-Hotel Dajtit. Kjo hapsirë edhe pse u premtua nga kryebashkiaku Erion Veliaj se do të kthehej i aksesueshëm për qytetarët nëpërmjet projektit të “Parkut të Besimit”, sot aty ngrihet një kullë shumkatëshe, me leje ndërtimi të firmosur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili firmosi shpenzimin 60 milionë lekë për planin studimor dhe më pas ky projekt u hodh në kosh duke firmos më pas edhe lejen për kullën e betonit.



