Dosja “Babale”, Apeli shtyn seancën gjyqësore ndaj Salianjit

Mos i humb

Gjykata e Apelit ka shtyrë seancën gjyqësore në ngarkim të deputetit Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi. Shkak për shtyrjen e seancës u bë një kërkesë e avokatit të Ervin Salianjit, Ledio Braho, i cili për arsye shëndetësore nuk ishte në seancën gjyqësore të parashikuar për sot.

Në një njoftim për mediet, Gjykata e Apelit bëri të ditur se sot ishte planifikuar seanca gjyqësore e çështjes penale ndaj të pandehurve Ervin Salianji, por mbrojtësi i të pandehurit Ervin Salianji, avokati Ledio Braho ka depozituar pranë sekretarisë së gjykatës kërkesë për shtyrje seance, për arsye shëndetësore. Në seancë nuk ishte i pranishëm as vetë i pandehuri Ervin Salianji.

Seanca e radhës u caktua më datë 8 maj.

Gazetari Jetmir Olldashi dhe deputeti Ervin Salianji janë duke u përballur në Apel me akuzën e “Kallëzimit të rremë” kryer në bashkëpunim për çështjen “Babalja”. Rasti në fjalë lidhet me vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Geron (Agron) Xhafaj. Ky i fundit ka kallëzuar për mashtrim Olldashin dhe Salianjin, lidhur me një audiopërgjim të publikuar prej tyre.

Në Apel deputeti Salianji kundërshton dënimin me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi. Sipas Gjykatës së Tiranës, ish-deputeti Salianji dhe gazetari kanë inskenuar një audiopërgjim dhe akuza të rreme penale ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit