Dosja “Partizani”, Berisha: Do t’i bëj gjyqin publik Edi Ramës me fakte

Mos i humb

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar sot se do t’i bëjë gjyqin publik Edi Ramës, përmes fakteve të patjetërsueshme në lidhje me ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Një një konferencë për mediat Berisha tha se ndryshimet ligjore për krijimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave u bë me 2 qëllime.

“Shumë ditë më parë, unë premtova se procesin e shëmtuar politik të Edi Ramës, unë do ta kthej në gjyqin publik të shekullit kundër personit, që në historinë e Shqipërisë, paraqitet njeriu më i rrezikshëm pas Enver Hoxhës.

Gjyqin publik të Edi Ramës, nuk kam ndërmend ta bazoj në epitete, se Lana do mbushej me to në qoftë se do hyjmë në atë fushë.

Kam ndërmend ta bazoj vetëm në fakte të pakundërshtueshme, në ligje dhe vendime, që japin përgjigjen më shterruese, aktit të shëmtuar politik të Edi Ramës dhe larove të tij, Kraja, Millonai, Gjoka.

Në dacibaon e tyre politik, Edi Rama me larot e tij, turpi i drejtësisë në Shqipëri dhe botë, aludojnë dhe pretendojnë se Sali Berisha, reformën programatike në sistemin e pronësisë, një reformë fondamentale për programin e PD-së, ligjet dhe vendimet për këtë reformë, i ndërmori për të favorizuar dhëndrin e tij, që ai të mund të marrë 140 metra tokë, të trashëguar sipas të gjithë dokumenteve zyrtare nga familjarët e tij, gjyshja e tij konkretisht, dhe mbi këtë bazë ndërtojnë akuzat e turpshme të favorizimit të dhëndrit dhe pasurimit të paligjshëm të tij dhe më pas të Sali Berishës.

Në krye të radhës, dua të deklaroj se ndërhyrja në ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave, siç do faktohet me të dhëna të pakundërshtueshme, kishte dy qëllime madhore.

Së pari, të mbronte interesin publik. Askush nuk mund të zhvaste apo të stërzhvaste pasuri publike.

Së dyti, askujt nuk mund t’i mohohej prona që i takonte dhe gjithsecilit duhet t’i njihej dhe rikthehej apo kompensohej prona e tij.

Në përputhje me këto qëllime, u bënë edhe ndryshime institucionale. Në vend të një komisioni që ecte çalë-zvarrë, u krijua me standardin modern, agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave.” – tha Berisha.

Ish-kryeministri sqaroi se përmes AKKP janë shqyrtuar 53.775 dosje me vendime për kthimin apo kompensimin e pronave ndaj qytetarëve.

Kjo agjenci, me një punë të admirueshme, sipas dosjeve, arriti me 53.775 vendime nga viti 2006 deri në vitin 2012, t’u rikthejë shqiptarëve 1 miliard e 16 milionë metër katrorë.

Përveç kësaj, t’ua kompensojë me tokë apo me para edhe 561 milionë e 400 mijë metër katrorë.

Pra, kjo agjenci, në 6 vite, me 53.775 vendime, u riktheu apo kompensoi pronarët shqiptarë me 1 miliard e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë.

Nga të cilat, armiku i popullit, Jamarbër Malltezi, në përputhje me të gjithë dokumentet zyrtare, ka marrë 140 metra katrorë.

A ka mendje njerëzore, përveç Edi Ramës, që mund të imagjinojë se shqiptarëve iu rikthyen në përputhje me ligjet, 1.577.400.000 metër katrorë? Cili do ishte ai që mund të imagjinonte se ligjet, se vendimet për rikthimin e 1.577.400.000 metër katrorë, kishin për qëllim favorizimin e njërit prej qindra e mijëra pronarëve, që kishte gjithsej në këtë shumë 140 metër katrorë trashëgimi familjare.

Ky është Edi Rama”, – tha Berisha.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit