Gjatë fjalës së tij sot në prezantimin e programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, ai u shpreh se rritja e rrogave për mësuesit është një hap shumë i rëndësishëm, por shtoi se duhet reformuar edhe në këtë pikë, duke thënë se ka nevojë që të ketë edhe motivim dhe rritje page në bazë të vjetërsisë së punës, performancës dhe kualifikimeve.

“Mekanizmin e asaj rritjes çdo 5 vjet të pagës në bazë të vjetërsisë së punës, ne duhet ta reformojmë komplet. Duhet të bëjmë të mundur që përveç pagës uniforme, të ketë nivele të ndryshme sipas meritës, kontributit dhe kualifikimeve. Por na duhet ama një sistem i besueshëm kualifikimesh dhe trajnimesh, kreditesh”, theksoi ai.

E po ashtu Rama tha se për të ngritur edhe më tepër sistemin arsimor, lind nevojë për kapital  njerëzor.

“Mund të gjendemi para një situate të pamundur. Shqipëria është sot në një tjetër nivel, ka një portë të re të të ardhmes në aspektin ekonomik, dhe reflektim janë dhe rritjet e pagave, të cilat do të vazhdojnë. Por në ndërkohë që sot jemi në kushtet që mund ta vëmë shumë më tepër se dje potencialin e vendit tonë në dispozicion të ekonomisë, përballemi me nevojën që çlirimi i këtij potenciali vë para nesh nevojë për kapital njerëzor, të kualifikuar, forca pune, në të gjitha nivelet.

Patjetër që ky nuk është një moment ku ka vetëm një zgjidhje, por kërkon shumë zgjidhje në të gjithë drejtimet, jo vetëm në arsim. Fokusi te arsimi është jetik! Sepse fatmirësisht nuk jemi në kohën që ishim, deri para jo shumë vitesh, kur mësuesit ishin të braktisur dhe të pambrojtur. Kur vendi i secilit prej jush përcaktohej nga politika, ryshfeti e kështu me radhë.

Sot çdo mësues dhe mësuese e ka vendin e garantuar falë aftësisë së vet dhe askush nuk e lëviz dot për arsye që nuk janë të lidhura me profesionin. Ky është themeli më fillestar. Kjo nuk mjafton, sikundër as vetëm rritja e pagave… pagat së shpejti për mësuesit do të shkojnë mesatarisht 950 euro, por nuk mjafton dhe ndaj na duhet të reformojmë sistemin.

Mekanizmin e asaj rritjes çdo 5 vjet të pagës ne duhet ta reformojmë komplet. Nga ana tjetër ne duhet të bëjmë të mundur që përveç pagës uniforme, të ketë nivele të ndryshme sipas meritës, kontributit dhe kualifikimeve. Por na duhet ama një sistem i besueshëm kualifikimesh dhe trajnimesh, kreditesh dhe ministria përmendi portofolin digjital, por janë dhe një sërë elementesh që duhen vënë në vijë.

Ne besojmë që mund t’ia dalim kësaj sfide. Është e fortë por ne besojmë se mund t’ia dalim nëse dhe e gjitha trupa e sistemit arsimor, vihet në dispozicion të kësaj sfide duke kuptuar se çfarë peshe ka sot misioni i mësuesit”, tha ndër të tjera Rama.