Duhet ndërmarrë hapa të shpejtë në planin ndërkombëtar për të trajtuar emetimet e metanit nga operacionet e naftës, gazit dhe qymyrit, që do të kenë ndikim të menjëhershëm në luftimin e ngrohjes globale në një plan afatshkurtër, thuhet në raportin e ri të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), transmeton Anadolu Agency (AA).
Metani ka qenë përgjegjës me rreth 30 për qind të rritjes së temperaturës globale deri më sot dhe veprimet klimatike nuk mund të përqendrohen vetëm në dioksidin e karbonit, sipas raportit të titulluar Rënia e emetimeve të metanit nga operacionet e karburantit fosil: Udhërrëfyesi për një ulje prej 75 për qind deri në vitin 2030, e cila vlerëson se mbi 70 për qind e emetimeve aktuale nga operacionet e naftës dhe gazit teknikisht janë të realizueshme për t’u parandaluar.
Për shkak të efektit të fuqishëm të metanit në ngrohjen globale, zvogëlimi i emetimeve të gazit serë është thelbësor për të shmangur ngrohjen në planin afatshkurtër.
Në nivel global, operacionet e karburantit fosil kanë emetuar rreth 120 milionë tonë metrikë (132 milionë tonë metrik në SHBA) metan vitin e kaluar, që korrespondon me gati një të tretën e të gjitha emetimeve të metanit nga aktiviteti njerëzor.
IEA tha se shumica e këtyre emetimeve janë thjesht rrjedhje në zinxhirin e prodhimit dhe furnizimit që operatorët nuk arrijnë të ndalojnë ose shmangin.
Këto emetime mund të parandalohen me anë të metodave me kosto efektive dhe rreth 45 për qind e tyre zakonisht mund të shmangen pa kosto neto pasi vlera e gazit të ndaluar është më e lartë se kostoja e masave të pakësimit, thuhet në raport.
Kjo pjesë do të ishte shumë më e lartë tani, duke pasur parasysh çmimet rekord të larta të gazit, shtoi ajo.
Mungesa në furnizimin me gaz natyror, rënia e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme dhe rritja e kërkesës ka çuar në një rritje të paparë të çmimeve evropiane të gazit natyror, i cili u rrit mbi 600 për qind në një vit.
“Në një kohë kur jemi duke u përkujtuar vazhdimisht për efektet e dëmshme të ndryshimeve klimatike, është e pafalshme që sasi masive të metanit të vazhdojnë të lejohen të depërtojnë në ajër vetëm nga operacionet e karburanteve fosile”, u citua të ketë thënë drejtori ekzekutiv i IEA-së, Fatih Birol.
“Këto emetime janë të shmangshme, zgjidhjet janë të provuara dhe madje fitimprurëse në shumë raste. Kurse përfitimet në drejtim të shmangies së ngrohjes afatshkurtër janë të mëdha. Unë mirëpres shtysën e përtërirë pas kësaj çështjeje me angazhimin global të metanit, të shpallur nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja dhe nxisin të gjitha vendet dhe kompanitë që të rrisin veprimet e tyre”, shtoi ai.
Angazhimi global i metanit është një iniciativë për të zvogëluar emetimet globale të metanit nga aktiviteti njerëzor me 30 për qind deri në vitin 2030 dhe u shpall në shtator nga BE-ja dhe SHBA-ja. Do të nisë në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP26) që do të mbahet në nëntor në Glasgow.
Sipas Udhërrëfyesit të IEA-së për emetimet zero deri në vitin 2050, emetimet e metanit nga operacionet e karburanteve fosile duhet të bien me rreth 75 për qind midis 2020 dhe 2030. Pothuajse një e treta e kësaj rënie është rezultat i një reduktimi të përgjithshëm të konsumit të karburantit fosil, por pjesa më e madhe pritet të vijë nga masat dhe teknologjitë që synojnë zvogëlimin e emetimeve nga fushat, tubacionet dhe minierat ekzistuese.
Meqenëse rënia përfundimtare e kërkesës për lëndë djegëse fosile nuk do të arrijë reduktime mjaft të shpejta të emetimeve të metanit për të parandaluar efektet më të këqija të ndryshimeve klimatike, nevojiten veprime të shpejta, bëri thirrje IEA.
Nëse arrihet një ulje prej 75 për qind e metanit nga operacionet e karburantit fosil, kjo do të ulte emetimet totale të metanit të shkaktuara nga njeriu me rreth 25 për qind, thuhet në raport.
IEA tha se juridiksione të shumta në të gjithë botën kanë përdorur mjete politike për këtë çështje ndërsa disa vende përfshinë metanin së bashku me gazrat e tjerë serrë në angazhimet e tyre për zero emetime.


