Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, mori pjesë në Forumin Sigurisë të Varshavës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut thuhet se Osmani në panelin e titulluar “BE – një partner kredibil për Ballkanin Perëndimor? Mësimet e nxjerra nga pandemia globale”, foli për solidaritetin dhe bashkëpunimin në kontekstin e pandemisë COVID-19, si dhe botën pas, interesat kombëtare dhe globale në fushën e kujdesit shëndetësor, strategjitë e daljes, sfidat e sigurisë, por edhe për ndikimet gjeopolitike që i shkaktoi pandemia.
“E ardhmja e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë të lidhura në mënyrë të pandashme, prandaj sfidat si trajtimi i pandemisë duhet të tejkalohen përmes një qasjeje të përbashkët dhe të unifikuar. Pandemia ka treguar se koncepti i sigurisë duhet të ripërkufizohet dhe zgjerohet. Kjo nënkupton ndryshime në strategjitë tona kombëtare, por edhe ndryshime në planifikimin e NATO-s, të mbështetura në takimet e fundit ministrore. Pandemia njëherësh i kujtoi botës rëndësinë e investimit në shëndetin publik dhe bashkëpunimin shkencor dhe na dëshmoi se sa të lidhur jemi dhe sa kërkon një qasje të përbashkët nga ne”, tha Osmani.
Ai foli për mbështetjen e deritanishme dhe ndihmën në përballjen me sfidat e pandemisë, si në kuadër të institucioneve të BE-së, ashtu edhe për mbështetjen bilaterale të cilën, sipas tij, në vazhdimësi e merr Maqedonia e Veriut.
“Në këtë kontekst përmendi se në samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një nga temat do të jetë për Planin Ekonomik dhe Investues për rajonin, për krijimin e kushteve për investime dhe projekte zhvillimore, plan i cili duhet të japë ndikim të ri, të fuqishëm dhe pozitiv mbi rimëkëmbjen ekonomike në rajon, të mbështesë tranzicionin e gjelbër dhe digjital”, theksohet në njoftim.
Forumi i Sigurisë i Varshavës (WSF) është një platformë kryesore evropiane kushtuar bashkëpunimit transatlantik, e fokusuar në gjetjen e përgjigjeve për sfidat e përbashkëta të sigurisë. Konferenca e këtij viti mblodhi më shumë se 1.500 pjesëmarrës nga 40 vende, përfshirë krerët e shteteve, ministrat, udhëheqësit e organizatave ndërkombëtare dhe joqeveritare, bizneset e larta, mediat, akademinë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Ky forum organizohet nga Fondacioni Kasimir Pulaski, në partneritet strategjik me NATO-n, Byronë e Sigurisë Kombëtare të Presidentit të Republikës së Polonisë, dhe nën kujdesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë. Ngjarja është bashkorganizuar me Fondin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara.


