![]()
Një grua siriane e burgosur për më shumë se shtatë muaj nga regjimi i Bashar al-Assad-it, ende i ka të gjalla kujtimet e përjetimit të hidhur.
Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Nur Mektebi, 27-vjeçare, rikujton metodat çnjerëzore të torturës dhe mizoritë që i ka parë gjatë burgosjes së saj në një qendër të sigurisë ushtarake në Halep dhe në “Degën e Palestinës” në Damask.
“Mua më burgosën kur isha e re në universitet”, thotë Mektebi. “Ata më rrëmbyen pas një sulmi në shtëpinë time”.
Ajo u dërgua në një qendër të sigurisë ushtarake në Halep në shtator të vitit 2014. “Ata më kontrolluan kur arritëm në qendër. Atëherë nisën rrahjet, kërcënimet dhe poshtërimet”, tha Mektebi.
Ajo thotë se është torturuar gjatë marrjes në pyetje. “Ata më varën për krahët dhe më rrahën nga këmbët. Ishte shumë e vështirë. Nuk e dija për çfarë jam akuzuar”, thotë ajo.
Mektebi u mbajt në qendër për 45 ditë në një vend të ndotur, të mbushur me njerëz, përskaj “dhomës së torturimit”.
“Ne vazhdimisht shihnim dhe dëgjonim njerëzit tek torturoheshin në atë dhomë”, thotë ajo.
Mektebi më vonë u dërgua në një qendër për t’u marrë në pyetje, të njohur si “Dega e Palestinës” në Damask. Ajo thotë se e dinte që është vend me reputacion të keq shumë kohë para fillimit të luftës civile, ku mbaheshin njerëzit nga të gjitha sferat e shoqërisë.
Ajo tha se në dhomën e njëjtë mbahej edhe një shkencëtare e njohur dhe në moshë, Nadya Rifai.
“Ata e torturonin atë çdo ditë për ta bindur që të prodhojë armë kimike”, tha Mektebi. “Ajo u çmend para nesh. Pastaj e zbuluam që kishte vdekur”.
Mektebi ende i mban mend fytyrat e torturuesve, duke i përshkruar dy prej tyre në detaje.
“Njëri kishte nofkën ‘Bird’ ndërsa tjetri ishte ‘Baas’. ‘Bird’ ishte i gjatë me shpatulla të gjera dhe lëkurë të zbehtë. Baasi ishte i shkurtër dhe i hollë me sy të gjelbër”.
Kriza humanitare
Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga viti 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it ndërhyri me egërsi ndaj demonstruesve.
Sipas të dhënave të OKB-së, që atëherë qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë janë zhvendosur, përderisa gratë dhe fëmijët vazhdojnë të mbajnë barrën e plotë të konfliktit.
Sipas organizatës joqeveritare Lëvizja Ndërkombëtare e Ndërgjegjes, mbi 13.500 gra u burgosën nga fillimi i luftës civile, përderisa më shumë se 7.000 gra ende gjenden në burgim, ku përballen me tortura, përdhunime dhe dhunë seksuale.
Lëvizja është një aleancë e individëve, grupeve të të drejtave të njeriut dhe organizatave që synojnë të sigurojnë veprim të menjëhershëm për të liruar grat ëdhe fëmijët nga burgjet e regjimit sirian.


