
Edi Rama hapi në Berlin ekspozitën e tij të dytë personale brenda një kohe të shkurtër në Gjermani. Gjatë vizitës së tij private, Rama nuk pati asnjë takim me përfaqësues zyrtarë.
Në një intervistë për DW ai u shpreh se mbështeste çdo marrëveshje qe ka pa ekuivok mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, duke shtuar se nuk pret asgjë të veçantë nga qeveria gjermane.
Çfarë prisni ju nga qeveria gjermane konkretisht në muajt e ardhshëm?
Nuk pres asgjë të veçantë, sepse qeveria gjermane gjithnjë ka bërë gjërat e duhura në botë dhe në rajon. Është një qeveri shumë serioze e një vendi shumë serioz e një shteti realisht mik që ka qenë jashtëzakonisht shumë e pranishme në Shqipëri mes programeve të mbështetjes dhe që investon jashtëzakonisht shumë për demokratizimin e rajonit dhe për integrimin evropian të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve si zgjidhje mes Serbisë dhe Kosovës. Një argument është se kjo zgjidhje e dialogut Serbi-Kosovë do ta vononte hyrjen e vendeve të rajonit në BE. A pajtoheni me këtë argument?
Në këndvështrimin tim ka një proces të domosdoshëm dialogu, i cili duhet të finalizohet dhe padyshim që duhet të finalizohet në një marrëveshje historike mes Serbisë dhe Kosovës. Përsa na takon neve, ne mbështesim çdo marrëveshje që ka pa ekuivok mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. Kaq. Të tjerat pastaj janë “dokrra hini”, siç thoshte At Gjergj Fishta.
Ku e shikoni veten në të ardhmen, kur të mos jeni më kryeministër i Shqipërisë? Si artist apo si ndërmjetësues ndërkombëtar?
Unë nuk shikoj filxhan. E bukura e kësaj jete asnjëherë nuk planifikohet. Thjesht mund të ëndërrohet. Përsa i përket mënyrës si e ëndërroj, kjo është shumë intime për ta ndarë me ju. Por them që nuk do plakem keq, si ca që nuk ikin dot nga politika dhe që lemerisin kalamajtë e këmbëngulin për të qenë pjesë, ndërkohë që mund të bënin diçka shumë më fisnike në periudhën e fundit aktive të jetës.


