“Ekziston akoma një rrezik serioz për gjenocid ndaj muslimanëve të Arakanit”

Mos i humb

Kryetari i Misionit Ndërkombëtar të Pavarur për Hetime ndaj Mianmarit i formuar nga Kombet e Bashkuara (OKB), Marzuki Darusman, tha se ekziston akoma “rrezik serioz për gjenocid” kundër 600 mijë muslimanëve të Arakanit për të cilët parashikohet se jetojnë në Mianmar.

Në fjalën e tij para komitetit për të drejtat e njeriut të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Darusman iu referua diskriminimit në vazhdim, izolimit, kufizimeve të lëvizjes, mungesës së sigurisë, si dhe mungesës së shërbimeve për punë, arsim dhe shëndetësi ndaj muslimanëve të Arakanit që jetojnë në Mianmar.

“Ka një përfundim të fortë për vazhdimin e gjenocidit, ku bëhet fjalë se ka një rrezik serioz që gjenocidi mund të përsëritet”, shtoi Darusman.

Raporti i publikuar muajin e kaluar nga Misionit Ndërkombëtar i Pavarur i Hetimit për Mianmarin ka ardhur në përfundim se Mianmari duhet të mbahet përgjegjës në forumet ligjore ndërkombëtare me pretendimet për gjenocid kundër muslimanëve të Arakanit, rikujtoi Darusman, duke shtuar se, “Mianmari nuk përmbush përgjegjësitë e tij për të parandaluar, hetuar, zbatuar legjislacionin efektiv dhe ndëshkuar gjenocidin sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit”.

Më tej, Darusman u bëri thirrje vendeve që të mbështesin prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale që të kryejnë hetime lidhur me krimet e pretenduara që janë kryer në kufirin Bangladesh-Mianmar. Ndërkohë që edhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së i ka bërë thirrje që të rishikojë marrjen e masave shtesë parandaluese, duke përfshirë edhe formimin e gjykatave të përkohshme ashtu si në shembujt e Ruandës dhe ish-Jugosllavisë.

Ndërsa ambasadori i Mianmarit në OKB, Hau Do Suan, ka mbrojtur idenë e tij se qeveria e Mianmarit nuk e njeh Misionin e pavarur për Mianmarin, se bisedimet e misionit janë “të njëanshme” dhe se bazohen në “informacione të shtrembëruara dhe burime dytësore”. 

– Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Në vitin 2012 në Arakan u shfaqën konflikte mes budistëve dhe muslimanëve, ku si pasojë e ngjarjeve mijëra persona, nga të cilët shumica muslimanë, u masakruan dhe qindra shtëpi dhe biznese u dogjën.

Ushtria e Mianmarit dhe nacionalistët budistë filluan dhunën masive duke treguar si arsyetim sulmet e njëkohshme më 25 gusht 2017 në stacionet kufitare në Arakan.

Sipas OKB-së, që nga 25 gushti i vitit 2017 e deri tani, ka arritur në 900 mijë numri i të strehuarve në Bangladesh pasi u larguan nga presioni dhe persekutimi në Arakan. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nëpërmjet pamjeve satelitore kanë vërtetuar se qindra fshatra janë shkatërruar.

Organizatat ndërkombëtare dhe ato të OKB-së për të drejtat e njeriut, dhunën kundër muslimanëve të Arakanit e konsiderojnë si “spastrim etnik” ose “gjenocid”.

Qeveria e Mianmarit, e cila kufizon në masë të madhe hyrjen e organizatave dhe mediave ndërkombëtare në rajonin e Arakanit, deri më tani nuk ka përmbushur premtimet që ka dhënë lidhur me rikthimin e muslimanëve të Arakanit.

Organizatat e të drejtave të njeriut, në lidhje me rikthimin e muslimanëve të Arakanit pa sigurimin e ambientit të përshtatshëm dhe të sigurt, shprehin shqetësimin se kjo do të shkaktojë një fushatë të re të spastrimit etnik.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit