Prishtinë, hapet panairi ndërkombëtar i agrobiznesit dhe ushqimit

Mos i humb

Është hapur në Prishtinë Panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Ushqimit “AGROKOS”, i cili do të jetë i hapur për tre ditë.

Në hapjen e këtij panairi ku erdhën qindra pjesëmarrës, përfaqësues të bizneseve, ekspozues e vizitorë, u tha se konsumatori kosovar ka mundësinë të njohë dhe të shijojë prodhimet bujqësore dhe blegtorale vendase, të cilat gjithnjë e më shumë po bëhen të pranishme në tregun vendës dhe të huaj.

Bekim Xhafa, organizator i panairit, tha se panairi është mundësi e mirë për bizneset vendëse që të promovojnë produktet e tyre. Ai tha se panairi është transformuar në pikëtakim të domosdoshëm të bizneseve ndërkombëtare që dëshirojnë të shtrihen në tregjet e Ballkanit.

“Pa dyshim që 19 vite nuk i kemi bërë të vetëm, por i kemi bërë bashkë me juve dhe në këtë drejtim do t’i falënderoj partnerët, Odën e Afarizmit të Kosovës, e cila e ka promovuar shumë këtë ngjarje dhe ka sjellë rregullisht ekspozues në këtë panair dhe vizitorë. Janë partnerët tjerë mbështetës që janë shoqatat e bizneseve që vijnë nga rajoni”, tha Xhafa.

Përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë në Bosnjë e Hercegovinë, Emir Pasiq, i cili ka qenë një ekspozues i rregullt në këtë panair për katër vitet e fundit, tha se 17 kompani nga vendi i tij po marrin pjesë, duke uruar se të gjithë përfaqësuesit që janë në panair të bëjnë marrëveshje të mira biznesore.

“Është gjithashtu një nder të ju përshëndes në emër të Delegacionit të Biznesit të BiH, i cili ka qenë në Prishtinë për herë të katërt radhazi. Ashtu si vitet e kaluara, ne po mundohemi të sjellim udhëheqësit e vërtetë të industrisë ushqimore të Bosnjë e Hercegovinës”, tha Pasiq.

Përfaqësuesja e Dhomës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Qëndresa Ibrahimi, përshëndeti organizimin e panairit, duke thënë se në Kosovë sektori i bujqësisë është ndër sektorët më me potencial për zhvillimin e vendit.

“Panairi AGROKOS është ngjarje shume e rëndësishme që u krijon mundësi bizneseve jo vetëm për t’i zgjeruar në tregjet ekzistuese, por edhe për krijimin e kontakteve, partneriteteve dhe kontratave të reja me partner potencial. Ne si Odë vazhdimisht kemi potencuar se sektori i bujqësisë është ndër sektorët më me potencial për zhvillimin e vendit”, tha Ibrahimi.

Në ketë panair po marrin pjesë shumë kompani të agrobiznesit vendor, si dhe nga Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Austria. Gjithashtu pjesë e këtij panairi janë edhe kompani që merren me paketimin dhe ambalazhimin e produkteve bujqësore, si dhe institucionet shtetërore e financiare që me politikat e tyre ndikojnë në zhvillimin e sektorit të agrobiznesit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit