Erdogan falënderon Zelandën e Re për solidaritetin

Mos i humb

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, vlerësoi ndjeshmërinë e treguar nga qeveria e Zelandës së Re pas sulmeve terroriste të javës së kaluar në dy xhami, nga të cilat 50 persona humbën jetën.

“Reagimi i (kryeministres) Ardern ndaj sulmit terror, ndjeshmëria dhe solidariteti me të gjithë muslimanët duhet të jetë një model për të gjithë liderët”, tha Erdoğan në takimin e sotëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI).

E premtja shënon saktësisht një javë që nga sulmet terroriste në të cilat të paktën 50 muslimanë u vranë kur një terrorist hapi zjarr mbi adhuruesit gjatë namazit të xhumasë në xhamitë Al Noor dhe Linwood në Christchurch, qytetin e tretë më të madh të Zelandës së Re.

Erdogan theksoi se sulmuesi nuk duhet të përmendet në emër në mënyrë që të mos i ofrohet fama që kërkon, por akti i terrorit nuk duhet harruar kurrë.

“Duke i dhënë këtij terroristi dënimin që meriton dhe duke zbuluar të gjitha lidhjet e tij, ne duhet të japim një mesazh shumë të fortë për ata që kanë të njëjtat synime të mëtejshme”, tha Erdogan.

“OBI nuk mund të ngelet indiferente ndaj ngjarjeve që kërcënojnë ardhmërinë e tërë njerëzimit dhe botës islame”, theksoi presidenti turk.

Presidenti turk deklaroi se vrasja e besimtarëve gjatë namazit të xhumasë dhe plagosja e dhjetëra të tjerëve “assesi nuk mund të konsiderohet si një incident i zakonshëm”.

Ai deklaroi se në ditët e sotme në skenë është e pranishme armiqësia e hapur ndaj Islamit, gjegjësisht urrejtja ndaj muslimanëve.

Ai tha se njerëzimi duhet të luftojë islamofobinë me të njëjtën vendosmëri që luftoi kundër antisemitizmit pas Holokaustit, duke shtuar se fenomeni nuk kufizohet vetëm tek politika, shoqëria civile apo akademia, por është një shqetësim kryesor për udhëheqësit, forcat e sigurisë dhe njerëzit në rrugë.

“Jemi duke u përballur me armiqësi të hapur ndaj Islamit, me urrejtje ndaj muslimanëve. Kjo çështje nuk është më vetëm një çështje e politikës, shoqërisë civile apo vetëm çështje që duhet të merret bashkësia akademike përmes hulumtimeve. Ky kërcënim është bërë një çështje e njësive të sigurisë, burrështetasve, madje edhe qytetarëve në rrugë”, porositi Erdogan.

“Organizatat neonaziste duhet të trajtohen si struktura terroriste, në mënyrën se si trajtohen DEASH, Al Shabaab, PKK”, vlerësoi presidenti i Turqisë.

– Nuk lejojmë të legjitimohet okupimi izraelit mbi Golanin

Duke folur për komentet e djeshme të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se ka ardhur koha që SHBA “të njohë plotësisht sovranitetin e Izraelit mbi Lartësirat e Golanit, Erdogan tha se vendet muslimane kurrë nuk do të lejojnë që pushtimi i lartësive të Golanit të legjitimohet.

“Deklarata e pafat e presidentit amerikan mbi Lartësitë e Golanit solli rajonin përpara një krize të re”, theksoi Erdogan.

Erdogan tha se okupimi izraelit në Golan ka detyruar arabët dhe turkmenët lokalë të migrojnë.

Izraeli prej kohës ka nxitur Washingtonin të njohë pretendimet e tij mbi rajonin e pushtuar nga Siria gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967.

Izraeli okupoi rreth dy të tretat e Golanit pas luftës. Ai më pas aneksoi territorin zyrtarisht në vitin 1981, një veprim i kundërshtuar njëzëri në atë kohë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Shtetet e Bashkuara për herë të parë votuan kundër një rezolute vjetore të OKB-së që dënon kontrollin e Izraelit mbi lartësitë e Golanit në nëntor. Gjithsej, 151 vende votuan në mbështetje të rezolutës, kurse vetëm Izraeli dhe SHBA e refuzuan atë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit