Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se Izraeli duhet të lejojë ndihma humanitare në Gaza përmes kalimit në Rafah, Egjipt.
Duke folur në Forumin vjetor të Biznesit dhe Ekonomisë Turqi-Afrikë në Stamboll, presidenti Erdogan u shpreh se “ajo që na shqetëson është mundësia që tensioni të rritet dhe të përhapet në rajon”.
“Xhamitë, spitalet dhe vendbanimet civile janë të bombarduara dhe ne refuzojmë sulme të tilla, që unë e shpreh hapur”, shtoi ai.
Ai tha se bllokada ka përkeqësuar situatën humanitare në Gaza dhe e ka bërë rajonin më të prekshëm.
Erdogan tha se ndërprerja e energjisë elektrike, ujit, karburantit dhe ushqimit për dy milionë njerëz në një zonë prej 360 kilometrash katrorë në Gaza është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut.
“Ndëshkimi kolektiv i popullit të Gazës në këtë mënyrë vetëm sa do të rrisë problemin dhe do të shkaktojë më shumë lot dhe vuajtje”, tha presidenti turk.


