Europa Perëndimore përfshihet nga temperatura të larta rekord

Mos i humb

Vala e të nxehtit në Europën Perëndimore po thyen rekorde të vjetra dhe po bën jetën e përditshme një maratonë të qëndrueshmërisë.

Gjermania po kalon njërin prej korrikëve më të nxehtë të regjistruar, me temperatura në mbarë vendin që arrijnë në 40 gradë Celsius apo edhe më shumë.

Shërbimi meteorologjik në Gjermani publikoi një paralajmërim për temperatura ekstreme për të enjten, duke thënë se temperaturat mund të rriten në nivele rekorde, veçanërisht në rajonin verior Rhine dhe në pjesët perëndimore të vendit.

Termometrat të mërkurën regjistruan temperatura prej 40.5 gradë Celsius në Geilenkirchen, sipas stacionit matës në bazën e NATO-s në qytetin veriperëndimor.

Nëse konfirmohet, kjo mund të jetë temperatura më e lartë e të gjitha kohërave e regjistruar në vend që kur filluan matjet në vitin 1881.

Belgjika po ashtu është përballur me ditën më të nxehtë që nga viti 1881, duke bërë që Instituti Mbretëror Meteorologjik të rrisë nivelin e alarmit në të kuq për herë të parë në histori.

Temperatura pritet të arrijë 40 gradë Celsius në disa pjesë të Belgjikës të enjten dhe zyrtarët po paralajmërojnë popullatën që të ndërmerr masat e sigurisë.

– Kulmi i vapës

Holanda të mërkurën shënoi ditën më të nxehtë në 75 vitet e fundit, njoftuan nga Instituti Mbretëror Meteorologjik i Holandës.

Autoritetet thanë se alarmi ngjyrë portokalli në Holandë do të vazhdojë përgjatë të shtunës për shkak të motit të nxehtë.

Austria po kalon në verën më të nxehtë në 253 vitet e mbajtjes së evidencës, njoftojnë zyrtarët e Entit hidrometeorologjik të vendit.

Zyra e meteorologjisë së Britanisë së Madhe të enjten njoftoi se temperaturat do të arrijnë në 39 gradë Celsius, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në vend.

Michael Dukes, drejtor i parashikimit në kompaninë britanike për parashikimin e motit MetDesk, për Anadolu Agency (AA) tha se i nxehti i jashtëzakonshëm në Evropën Perëndimore do të kulmojë të enjten, kur në shumë vende do “të thyhen rekorde”.

“I nxehti është shkaktuar nga një sasi e ajrit të nxehtë që lëviz në drejtimin verior në Evropën Perëndimore nga Afrika e Veriut”, tha Dukes.

Ai tha se një lëvizje e ngjashme në qershor gjithashtu shkaktoi temperatura rekorde.

“Me të vërtetë është shqetësim i madh që ne aq shpesh po thyejmë rekordet e të nxehtit”, shtoi Dukes.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se pa ndryshime drastike, kriza globale klimatike do të çojë në nivele të pabesueshme të nxehtësisë nëpër botë.

– Parisi po digjet

Në Francë, alarmi i kuq u shpall për kryeqytetin Paris dhe veriun e vendit. Temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.

Ministrja e Shëndetësisë, Agnes Buzyn tha se vala e të nxehtit pritet të prekë 20 milionë njerëz.

Italia gjithashtu ka ngritur alarmin për shkak të temperaturave të larta dhe Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar për vala ekstreme të të nxehtit në 13 qytete, përfshirë edhe kryeqytetin, Romën.

Temperatura në këto qytete pritet të arrijë deri në 40 gradë Celsius.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit