
Publikimi i raporteve të fundit ndërkombëtare, ka radhitur Kosovën si ndër vendet e para për nga migrimi i popullatës, gjë kjo që nxiti debate të shumta publike.
Si problem kyç është theksuar papunësia dhe mungesa e vendeve të punës për kuadrat e rinjë.
Në anën tjetër, qeveria aktuale e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se Kosova, sipas raportit të Bankës Botërore ka ulje të shkallës së papunësisë.
Sociologun Fadil Maloku, njëherish edhe kryetar i Shoqatës së Sociologëve, i cili ka thënë se përpos faktorit social, ka edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar në ikjen e qytetarëve nga Kosova.
“Së pari duhet të kuptojmë që trendi i migrimit në vendet që janë në tranzicion është evident në të gjitha vendet që kalojnë në këtë fazë, e sidomos tek vendet e tranzicionit të vonuar siç është Evropa Juglindore apo rajoni i Ballkanit Perëndimor ku hyn edhe vendi ynë. Unë mendoj që përveç këtij trendi, bazuar në studimet që i ka bërë Shoqata e Sociologëve ku jam edhe kryetar, është dëshmuar se ky trend është ndikuar jo vetëm nga faktori social dhe socio-ekonomik por edhe nga politika në vendin tonë. Qeverisjet e pasluftës, nuk e kanë pasur në fokus trendin e punësimit dhe kjo ka bërë që Kosova sot të jetë një ndër vendet me shkallën më të lartë të papunësisë (mbi 50%)”, ka thënë Maloku.
Ai ka thënë se bashkimi i të gjithë këtyre faktorëve social, socio-ekonomik dhe psikologjik bazuar në trendin global, na lë të kuptojmë se Kosova është e atakuar nga ky fenomen.
Maloku është shprehur i shqetësuar për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, duke thënë se bazuar në studimet që janë bërë, shihet se trendi i ikjes do të rritet.
“Çfarë është më shqetësuese është fakti se në studimet që i kemi bërë me studentë në Departamentin e Shkencave Sociologjike në Prishtinë, del që ekziston mundësia që trendi i ikjes të rritet dhe të fuqizohet edhe më shumë sidomos pas liberalizimit të vizave. Është shqetësuese që shoqëria kosovare ka investuar mjaft në këta të rinjë të cilët pastaj në pamundësi që të gjejnë punë, de fakto dhe de juro detyrohen që të migrojnë jashtë vendit për një jetë më të mirë që i ofron siguri sociale, politike e psikologjike”, ka thënë ai.

Sipas Malokut, parashikimi i rritjes së trendit të ikjes në vitet e ardhshme do të varfëronte shoqërinë kosovare, gjë kjo që sipas tij duhet të mirret parasysh nga Qeveria e Kosovës për në vitet e ardshme.
Ai ka thënë se shoqëria kosovare aktualisht është në një ‘burg kolektiv’, si i vetmi vend që nuk ka të drejtë të lëvizjes së lirë dhe sipas tij, demokracia dhe proceset integruese globale nuk e durojnë trendin e mbylljes në të cilën Kosova gjendet që nga paslufta.
“Kosova është provuar si para luftës ashtu edhe pas saj me ikjen masive të qytetarëve, andaj nëse qeveria aktuale apo ato të ardhshmet nuk fokusohen në ofrimin e kushteve dhe vendeve të punës për të rinjtë, atëherë besoj se do të gjendemi në një situatë të palakmueshme”, ka thënë Maloku.
Ai është shprehur se deklaratat e qeveritarëve se ka ngritje të nivelit të punësimit, janë në kundërshtim me kontigjentet e reja që i ofrohen tregut të punës, duke cilësuar se problemi është që tregu nuk ka oferta konkrete.
Në fund, Maloku është shprehur i shqetësuar për të rinjtë të cilët edhe pas përfundimit të shkollimit mbesin në mëshirën e tyre, duke u detyruar kështu që edhe me master të përfunduar, të punojnë punë që nuk i përshtaten profesionit të tyre.
Ai ka bërë apel që qeveria aktuale ose qeveritë e ardhshme të hartojnë një plan konkret për ofrimin e vendeve të punës për të rinjtë.


