Një ditë pasi Prokuroria e Tiranës nisi verifikimin për kontratën e PD me disa kompani lobimi në SHBA, socialistët i kërkojnë sërish Lulzim Bashës të përgjigjet për burimin e financimit të padeklaruar, as në KQZ.
Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla i bën thirrje kreut të KQZ, Klement Zguri, për të cilin grupi i PS po shqyrton të gjitha procedurat ligjore për ta shkarkuar, që të mos bëjë asnjë regjistrim deklarimi shpenzime shtesë nga ana e PD apo falsifikim protokolli për deklarime të mëparshme pasi kjo sipas tij do të përbënte një vepër të rëndë penale apo prishje të provave për një të tillë.
Balla i drejtohet kreut të opozitës Basha me disa pyetje për origjinën e 1 milionë dollarëve dhe përse ai ka përdorur llogaritë e një kompanie offshore për të bërë pagesa në emër të PD-së? numri dy i PS-së i kërkon gjithashtu Bashës të shpjegojë se cila është marrëdhënia mes PD dhe kompanisë “Biniatta Trade LP”, e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale.
Partia Demokratike ka reaguar duke sqaruar se “kontratat e lobimit të Partisë Demokratike janë dokument publik që janë të depozituara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Kontratat dhe pagesat e bëra janë subjekt i ligjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë audituar dhe kontrolluar nga qeveria amerikane”.
Por PD vijoi me akuzat në adresë të ish zv.ministres së brendshme Elona Gjebreas, e cila sipas saj ka udhëtuar më shumë se një herë me makinën e Habilajve.
“Elona Gjebrea duhet që të sqarojë publikisht: Pse udhëtoi privatisht për në Greqi? Pse në këto udhëtime nuk mori makinën dhe shoferin e saj? Pse nuk udhëtoi qoftë edhe me makinën e saj private? Pse zgjodhi të udhëtojë me makinën e Habilajve? A është takuar ndonjëherë me Habilajt? Nëse po, përse është takuar? Si Koordinatore Kombëtare Kundër Trafikimit a ka qenë ajo e informuar për trafikun masiv të drogës dhe të armëve nga Shqipëria në Itali dhe Greqi? Cilët drejtues të lartë të shtetit ka informuar? Çfarë masash ka marrë ajo për këtë gjë”, deklaron Dhurata Çupi, deputete e PD-së.
Për PD, është koha që Elona Gjebrea të përballet me përgjegjësitë e saj dhe të bashkëpunojë me drejtësinë, cilado qoftë përgjegjësia e saj penale./Top Channel/