Fermerët grekë vijojnë mobilizimin

Mos i humb

Mijëra fermerë nga e gjithë Greqia e kaluan natën në Sheshin Sintagma, duke akuzuar qeverinë e cila nuk po merr masat e duhura mes rritjes së kostove dhe konkurrencës ndërkombëtare.

Duke valëvitur parulla me slogane si “Pa ne, nuk ka ushqim” dhe “Blegtoria vdiq sot”, fermerët lëviznin me traktorët e tyre nëpër rrugët e kryeqytetit, duke i rënë borive jashtë parlamentit. Ishte mobilizimi më i organizuar dhe më i madh nga fermerët ndër vite.

Sindikata të tjera iu bashkuan gjithashtu protestave nën sloganin “Punëtorë dhe fermerë, të bashkuar në një grusht”. Rreth 8,000 njerëz u mblodhën në Sintagma pak para fillimit të protestës, e cila filloi jashtë ndërtesës së Universitetit të Athinës në rrugën Panepistimiou dhe më pas në parlament.

Sindikatat e fermerëve kanë qenë në negociata me qeverinë e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për javë të tëra, por asnjë marrëveshje nuk u arrit pasi masat e shpallura nuk shkonin aq larg sa për të përmbushur kërkesat e tyre.

“Ne po luftojmë për të drejtat tona. Ne duam që qeveria të na japë zgjidhje për problemet tona, sepse ne nuk po luftojmë vetëm për mbijetesën tonë, ne po luftojmë për të gjithë”, tha një fermer

“Të martën e kaluar, qeveria na thirri në mbledhje, duke na tallur, pa na dhënë asgjë. Kjo është pikëpamja jonë, ata mendojnë se na kanë ofruar shumë gjëra. Ne po përpiqemi të kemi produkte të lira për konsumatorin grek. Ne duam t’i shesim produktet tona lirë dhe që konsumatori t’i blejmë ato lirë”, u shpreh kryetari i Unionit të Buqëve Stylidas, Kostas Zarkadoulas.

Përveç kostove të larta të energjisë dhe prodhimit, fermerët grekë thonë se janë dëmtuar nga ndryshimet klimatike, ku përmbytjet katastrofike, nxehtësia ekstreme dhe zjarret po i bëjnë të korrat gjithnjë e më të rrezikshme.

Ndërkohë, protestat e fermerëve polakë kanë ndezur zemërim në Ukrainë. Kievi i bëri thirrje Komisionit Evropian të ndërmarrë veprime të fuqishme pasi demonstruesit bllokuan kufirin dhe hapën kamionët duke derdhur grurin.

Protesta e tyre është planifikuar të zgjasë deri më 15 mars. Kamionët ukrainas pranë pikës kufitare në Rava Ruska mbanin parulla me slogane si “Ndaloni bllokimin, le të ushqejmë botën së bashku” dhe “Bllokada e Ukrainës është një tradhti ndaj vlerave evropiane”.

Qeveria e re pro-evropiane e Polonisë u ka kërkuar fermerëve që të mos ndërmarrin veprime që mund të dëmtojnë përpjekjet e Kievit për luftë. Presidenti polak Andrzej Duda ka bërë të ditur se qeveria polake po negocion me fermerët dhe sindikatat dhe se ai shpreson se çështja do të zgjidhet përmes bisedimeve.

“Ky është një konflikt i caktuar interesash midis fermerëve dhe prodhuesve të produkteve bujqësore në Ukrainë – fermerë që kanë frikë për ekzistencën e tyre”, u shpreh Duda. Nga ana tjetër Ukraina ka deklaruar se bllokadat po ndihmojnë Rusinë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit