Filipçe: Maqedonia e Veriut përballet me valën e dytë të COVID-19

Mos i humb

Sipas të dhënave të fundit, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 180 raste të reja, që është numri më i lartë i të diagnostifikuarve brenda 24 orëve që nga fillimi i përhapjes së virusit.

Në video-konferencën e rregullt për media, ministri Filipçe u shpreh se vala e dytë e koronavirusit është si pasojë e mosrespektimit të masave.

“Padyshim se kemi një valë të dytë e cila është rezultat i mosrespektimit të masave të tubimeve, që në fakt vërtetohet edhe nga inspektimi detal në pyetësorët epidemiologjik. Por, numri i rritur i të infektuarve mund të thuhet se është i pritur për shkak të mënyrës së testimit që e zbatojmë këto ditë”, tha Filipçe.

Ai gjithashtu tha se tani në Maqedoninë e Veriut testohen të gjithë anëtarët e familjes dhe kontaktet e afërta të një personi të diagnostifikuar, gjë që nuk është bërë më parë dhe që kontribuon në rritjen e numrit të rasteve pozitive.

Ministri Filipçe gjithashtu u shpreh se rreth 90 për qind e rasteve të reja në Shkup vijnë nga rreth 15 familje, duke shtuar se shumica e rasteve të diagnostifikuara janë asimptomatikë apo me simptome shumë të lehta.

Sipas Filipçes, edhe sistemi shëndetësor është në gjendje të përballojë rritjen e numrit të të infektuarve, duke ritheksuar se shumica e rasteve pozitive qëndrojnë në trajtim shtëpiak, apo madje shërohen pa pranuar asnjë trajtim.

“Ora policore për të parandaluar përhapjen e mëtejme të sëmundjes”

Duke komentuar orën e plotë policore që këtë fundjavë u vendos në qytetet e Shkupit, Tetovës, Kumanovës, Shtipit dhe komunave përreth, ministri Filipçe u shpreh se kjo bëhet për të parandaluar kontaktet dhe përhapjen e mëtejme të sëmundjes, si dhe për të lehtësuar punën e infektologëve.

Pasi një numër i madh i banorëve të këtyre qyteteve dje udhëtuan drejt vendeve turistike brenda Maqedonisë së Veriut, ku gjithashtu gjatë vikendit është në fuqi ndalesa e lëvizjes nga ora 16:00 deri në ora 05:00 mëngjesin e nesërm, ministri Filipçe apeloi në mbajtjen e maskave dhe ruajtjen e distancës fizike.

I pyetur rreth mundësisë së përhapjes së sëmundjes në rajonet turistike brenda vendit, ministri Filipçe u shpreh se qytetarët edhe gjatë pushimeve të verës do të vizitojnë këto rajone dhe se do të duhet të mësohen me realitetin e ri.

Filipçe gjithashtu u shpreh se sipas situatës aktuale, nga e hëna do të hiqet ora policore, por theksoi se vendim përfundimtar për këtë çështje do të merret të dielën.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit