![]()
Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte po shqyrton mundësinë për të ndërprerë marrëdhëniet me Islandën për shkak të hapjes së një hetimi me iniciativën e Islandës në OKB lidhur me operacionet e luftës kundër drogës në vendin e tij.
Zëdhënësi i qeverisë filipinase, Salvador Panelo në një deklaratë tha se Duterte po mendon seriozisht ndërprerjen e marrëdhënieve dypalëshe me Islandën.
“Vendimi për të hetuar tregon se si fuqitë perëndimore janë të shqetësuar nga praktikat që janë nevojë e sovranitetit tonë për të mbrojtur popullin nga problemi i drogës”, tha Panelo duke e përshkruar hetimin e OKB si “të njëanshëm” dhe “abuziv”.
Javën e kaluar, Duterte ka kritikuar hetimin e OKB-së të përgatitur me iniciativën e Islandës për operacionet e luftës kundër drogës në Filipine. “Islanda nuk e kupton luftën e filipinasve dhe se akulli i shumtë në vendin e tyre është problemi i vetëm i Islandës”, tha ai.
Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut javën e kaluar miratoi nisjen e një hetimi paraprak në lidhje me pretendimet se mijëra njerëz janë vrarë në operacionet kundër përdoruesve dhe trafikantëve të drogës në Filipine.
Ndërkohë që edhe Amnesty International i ka bërë thirrje OKB-së që të nisë një hetim në lidhje me pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime të kryera kundër njerëzimit në luftën e shtetit kundër drogës në Filipine.
Duterte, i cili mori detyrën e presidentit të Filipineve më 30 qershor 2016, ka theksuar se do t’i jepte përparësi luftës kundër drogës dhe korrupsionit.
Të dhënat e qeverisë kanë bërë të ditur se mes periudhës 1 korrik 2016 dhe 1 tetor 2018 në kuadër të luftës kundër drogës, njësitë e sigurisë kanë kryer 113.570 operacione, ku janë vrarë 4.999 të dyshuar ndërsa më shumë se 80 oficerë të sigurisë kanë humbur jetën.


