Firmosen 19 marrëveshje Shqipëri-Kosovë, hekurudhë Durrës-Prishtinë, hiqet kufiri gjatë verës

Mos i humb

Ditën e sotme është mbajtur në Prishtinë mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë.  Nga kjo mbledhje u nënshkruan 19 marrëveshje dhe memorandume mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Mbledhja e së hënës shënon takimin e tetë të tillë mes dy qeverive. Qeveria e Kosovës ka thënë se marrëveshjet e memorandumet ndërqeveritare janë arritur në fushën e arsimit, doganave, energjisë, bujqësisë, infrastrukturës rrugore, transportit, shëndetësisë, mbrojtjes e drejtësisë.

Në sektorin e arsimit është arritur marrëveshje për mundësi konkurrimi dhe vijim të studimeve në 19 universitete të të dyja shteteve, në kushte të barabarta.

Në takim, palët janë pajtuar për të punuar drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë mes dy shteteve, më pas për të krijuar një platformë të përbashkët digjitale për promovim të turizmit të të dyja vendeve.

Në sektorin e transportit është arritur marrëveshje për një studim fizibiliteti që i hap rrugën ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë, projekt që mëton të lehtësojë transportin e njerëzve dhe mallrave.

Kryeministri Edi Rama ka debatuar me një gazetar gjatë konferencës së përbashkët me Albin Kurtin në Kosovë, pasi ai i përmendi zërat se Rama po punon për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Debati:

Gazetari: Pyetjes sime zoti Rama pak a shumë iu përgjigj…

Rama: Cilës pyetje?

Gazetari: Që ju po punoni për ta shkarkuar qeverinë Kurti.

Rama: Nuk iu përgjigja kësaj…

Gazetari: Të mbaroj pyetjen

Rama: Jo, nuk do ta mbarosh

Gazetari: Është e drejta ime

Rama: Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm protesta Albin.

“Nuk e dija që gjithë korpusi i pyetjeve ishte i natyrës së pyetjes së parë. Ndoshta u nxitova, kërkoj ndjesë. Pyetjet ishin Prishtina Coffe News, çfarë flitet kafeve të Prishtinës.

Ne jemi duke përgatitur një rezolutë dhe unë do shkoj personalisht në Strasburg, për t’iu drejtuar KE-së. Pabazueshmëria totale e raportit të Dick Marty dhe influenca ruse mbi këtë përrallë të trafikut të organeve”, vazhdoi Rama.

14:25- Ironia e Ramës: Jam më shumë se pro-serb, jam vëllai i Vuçiçit, por po të më shikoni me Albinin do thoni…

Kryeministri Rama nuk i ka kursyer ironitë lidhur me deklaratat se ai ka qëndrim pro-serb dhe është vëllai i Presidentit Aleksandër Vuçiç. Nga konferenca e përbashkët me kryeministrin Kurti, e cila u mbajt në Prishtinë pas mbledhjes  së tetë të dy qeverive, Rama i tha gazetarëve se nëse do ta shikonin bashkë me kryeministrin Kurti do ndërronin mendim.

Rama: Për të ardhur te proserbizmi im, unë jam më shumë se kaq. Unë jam vëllai i Vuçiçit, ju e dini këtë dhe e keni bërë status timin që unë jam vëllai i tij, por përtej kësaj dua të them që këndvështrimi im është se ne nuk na duhet një Serbi e radikalizuar, aq më tepër në kontekstin sot. Ne na duhet të bëjmë çmos që të rrisim të gjitha mundësitë që e integrojnë këtë pjesë të Evropës, në një nivel tjetër ndërveprimi ekonomik dhe shoqëror. Unë nuk hyj në çështjen e administrimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kjo është çështje ekskluzive e dy vendeve. Ashtu sikundër unë nuk besoj në asnjë sekondë që qasja jonë e ndryshme ndaj Serbisë dëmton qasjen apo qëllimin përfundimtar. Janë dy rrugë të ndryshme drejt të njëjtit qëllim, që është zgjidhja përfundimtare dhe njohja e Kosovës nga Serbia dhe paqja e drejtë që i takon shqiptarëve të Kosovës.

Dhe thënë të gjitha këto, dua ta përsëris që me Albinin ne kemi një marrëdhënie që është e kahershme, që është shumë miqësore dhe që do të jetë e tillë gjithmonë. Ne jemi njerëz me bindje të forta dhe të gjedh tani njerëz me bindje të forta që janë në një mendje do të thotë që ose i janë dobësuar bindjet, ose s’i kanë pasur ndonjëherë të forta. Në këtë pikë jemi të qetë dhe këtë e tregon fakti që po të jeni kur ne jemi bashkë dhe të shikoni volumin e qeshjeve do habiteni dhe do thoni s’qenka vëllai i Vuçiçit, qenka vëllai i Albinit,. Më lini të jem vëllai i të dyve se mund t’ju duhem

Kryeministri Edi Rama është ndalur edhe një herë tek heqja e barrierave doganore për Kosovën, duke thënë se sot ka një problem të vjetër, pasi pala e Kosovës ka kërkuar kohë për të studiuar çështjen.

Rama nuk i kurseu batutat edhe në këtë pjesë duke thënë se synohet që volumi tregtar të bëhet 1 miliardë, ndërsa sot është më shumë se çmimi i këpucëve të Cristiano Ronaldos.

Ballkani i Hapur ishte temë diskutimi në konferencën e përbashkët mes kryeministrit Rama dhe kryeministrit Kurti në Prishtinë.

Kryeministri Kurti u shpreh se me Shqipërinë Kosova ka marrëdhënie vëllazërore dhe nuk ka nevojë për ndërmjetësues. Ndërsa kryeministri Rama mendon se nisma Ballkani i Hapur nuk e bashkon Shqipërinë me Kosovën, por as nuk e ndan. Të dy vendet ndajnë pikëpamje të ndryshme për sa i përket nismë Ballkani i Hapur, pasi Kosova refuzon t’i bashkohet.

Kurti: Duhet të theksojmë që arritëm marrëveshje, protokolle dhe memorandum gjithsej 19 dhe kjo është për tu përshëndetur. Marrëdhëniet tona janë vëllazërore dhe vëllezërit nuk kanë ndërmjetësues ndërmjet njëri-tjetrit. Çështja është e ngritur, është e një dimensioni tjetër, nuk është mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk kam asnjë gjë të re për të thënë.

Rama: Është e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na bashkon por ama Ballkani i Hapur nuk na ndan, në këtë pikë kemi këndvështrime të ndryshme, nuk është sekret, por këto këndvështrime të ndryshme nuk na pengojnë që të ecim përpara në marrëdhëniet bilaterale. Tarifat doganore, heqja e të gjitha tarifave doganore për kompanitë, është sot në Ballkanin e Hapur dhe duam ta bëjmë e me Kosovën. Ne do ta bëjmë këtë pa asnjë diskutim, madje për sa i përket tarifave doganore Kosova ka kërkuar pak kohë për studim, dhe ne do ta bëjmë në mënyrë të njëanshme dhe do ta hapim pa tarifa doganore kufirin për bizneset e Kosovës.

Rama u shpreh se kur vjen puna për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovë dhe për Kosovën, jemi një. Kur vjen puna për Ballkanin e Hapur apo Procesin e Berlinit, sipas Ramës, këto janë çështje konceptuale.

Rama: Nëse do binim dakord për çdo gjë me Albinin do tregonte që kishim një problem. Fakti që nuk biem dakord për çdo gjë tregon që jemi në rregull.

Kryeministri Edi Rama e ka mbyullur me një mesazh fjalën e tij në konferencën me krzeministrin e Kosovës Albin Kurti, para se të dy të prisnin pyetjet.

Qentë le të lehin, karvani le të ecë përpara”, ishte mesazhi i Ramës, teksa njoftoi edhe zhvillimiet për një abetare të unifikuar dhe projekte të tjera.

“Ky është një projekt që nuik kemi thesjht ekspozuar një video. Është rezultat i një pune të detajuar. Kemi firmosur bashkarisht financimin e studimit të për të shkuar më pas te hekurudha Durrës-Prishtinë.

Tjetra që është shumë e rëndësishme, në mbledhjen e kaluar kemi rënë dakord për një abetare unike. Abetarja është në një proces të avancuar me një komisiojn të përbashkët ekspertësh është përzgjedhur varianti fitues. Jemi në fazën e zbatimit dhe shpresjmë t’i shpërndajme abetaret e para në një kohë sa më të shpejtë.

E fundit është dakordësia financiare, për shkrimin e enciklopedisë shqiptare. 10 vëllime që do përmbledhin gjithë korpusin enciklopedik të popullit shqiptar.

Kam një lajm për ata që kërkojnë të gjejnë arsye që të bëjnë komente mbi mosmarrëveshje dhe mungesë të ecurisë së duhur mes dy qeverive, me qeverinë aktuale kemi shkallën më të lartë të zbatimit të marrëveshjeve, shpresoj ky të konsiderohet fakt dhe jo për të bërë spekulime të tjera politike, sepse jam tërësisht i painteresuar të përfshihem në jetën politike të Kosovës.

Sapo u kënduan himnet qeni nuk lehu më. Kur ne fokusohemi dhe puna vazhdon lehjet mbeten prapa. Qentë le të lehin, karvai le të ecë përpara”, tha Rama.

Po zhvillohet  konferenca  e përbashkët e kryeministrit Rama dhe Kurti  pas mbledhjes së dy qeverive.

Rama tha se me qeverinë e Kurtit, Shqipëria ka regjistruar nivelin më të lartë të marrëveshjeve të firmosura mes dy vendeve, duke hedhur poshtë spekulimin për raportet jo të mira me Albin Kurtin.

“Kemi rënë dakord për disa gjëra me rëndësi. Pas çdo mbledhjeje të përbashkët i afrohemi qëllimit për partneritetin strategjik mes dy vendeve. Ramë dakord që në kuadrin e 110 vjetorit të flamurit tonë kombëtar të organizojmë për herë të parë Kuvendin e Përbashkuar të dy republikave. Ramë dakord që në periudhën e fundit të viti të publikojmë revistën e parë bashkeqeveritare. Do të kemi një fletore zyrtare të të dyja qeverive, do publikohet në fund të çdo viti për të informuar të interesuarit për bashkëpunimin mes nesh. Volumi tregtar Shqipëri Kosovë ka qenë 136 mln euro, sot jemi në 433 mln euro. ASmbicia jonë të shkojmë mbi 1 miliardë. Është rezultat i djersë, ambicies së sipërmarrësve shqiptarë në dy anët dhe lehtësirave që kemi krijuar. Kam një lajm për ata që kërkojnë të gjejnë arsye për ata që komentojnë për mos ecurinë mes 2 qeverive. Kemi shkallën më të lartë të niveli të marrëveshjeve të nënshkruara. Të konsidertohet fakt dhe jo arsye për spekulime. Kemi ekspozuar projektin e portit të ri të Durrësit”, tha kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama dhe kryeminsitri i Kosovës, Albin  Kurti kanë nisur konferencën e përbashkët, pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy qeverive.

“Kur kremtojnë 12 qershorin nuk mund të mos e kujtojmë rolin që kishte Shqipëria në luftën tonë për çlirim. Kur kujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, nuk mund të mos jemi falenderues ndaj familjeve shqiptare që strehuan bashkëkombasit e tyre.

Vendet tona nuk i bën bashkë thjesht interesi, por është në interesin tonë të qëndrojmë bashkë.

Ky besim i ndërsjellë social është qenësor për bashkëpunim ekonomik dhe social. Vetëm 5 vitet e fundit shkëmbimi ynë tregtar me Shqipërinë është shumëfishuar si asnjëherë më parë.

E kur jemi te gjerat që nuk janë bërë asnjëherë, projekti i hekurudhës Durrës- Prishtinë është nga më të rëndësishmet.

Në fund ju uroj mirëseardhjen kryeministrit Rama dhe delegacionit të tij dhe i falenderoj për bashkëpunimin  e mirë në marrevëshjet e nënshkruara”, tha Kurti.

Në mbledhjen e tetë të përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë u propozua ngritja e grupeve të përbashkëta të punës për studimin, vlerësimin dhe hartimin e projekt marrëveshjes për bashkimin doganor.

Ministri i Financave së Kosovës, Hekuran Murati, u shpreh se memorandum për ngritjen e një grupi pune është hapi i parë konkret në drejtim të një bashkimi doganor.

“Ky memorandum definon qartë grupet punuse nga të dyja anët të cilat do të punojnë ngushtë, si rrjedhojë e bashkimit doganor dalin disa përfitime siç është shfrytëzimi i kohës në mënyrë efektive dhe zvogëlimi i kohës së pritjes për maune, studimi do të prezantohet në nëntor dhe do të ofrojë një pasqyrë të qartë për hapat për realizimin e kësaj objektive,” tha ministri Murati.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u shpreh se takimi mes dy qeverise ka mundësuar bashkëpunimin më të ngushtë.

Ibrahimaj: Kemi shumë sfida të përbashkëta të cilat jam e bindur se do arrijmë t’i tejkalojmë. Ne do të nënshkruajmë sot bashkëpunimin që do t’i hapë rrugën bashkimit doganor. Është një fjalë e bukur, por do shumë punë. Do ngremë dy grupe teknike të cilat do punojnë intensivisht dhe shpresojmë se para mbledhjes së ardhshme të na japin një dokument që do realizojë bashkimin doganor, i shumëpritur ndërmjet dy vendeve tona. Nga ana tjetër qeveria jonë ka marrë përsipër angazhimin që të zerojë tarifat doganore. Shpreh keqardhjen qe sot nuk arritëm në nënshkruanim marrëveshjen për njohjen reciproke të operatorëve ekonomikë të autorizuar.

Ministri Bledi Çuçi ka deklaruar në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë se në 60 kilometra vijë ajrore të të dyja vendeve, shtetasit do të trajtohen si qytetarë të të njëjtit vend.

Ai tha se protokolli i fundit do të jetë kur të hiqen tërësisht pikat kufitare dhe me batutë shtoi se këtë nuk e lejon ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.

“Ky nuk është protokolli i fundit, ai do jetë kur t’i heqim fare kioskat e policëve dhe të jetë si rrugë kalimi nornmale, po s’na lë Olta. Protokolli i radhës ka të bëjë se në 30 km vijë ajrore, 60 në të dyja anët e kufirit, ku shtetasit trajtohen si shtetas të të njëjti shtet”, tha Çuçi

Duke nisur nga 1 qershori deri më 30 shtator mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të ketë kufij.

Po ashtu edhe për festat zyrtare apo në fundjavë nuk do të ketë kontrolle dhe asnjë ndalesë në doganën mes dy shteteve. Marrëveshja është arritur sot në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

“Prej 1 qershorit deri më 30 shtator dhe për çdo fundjave apo dite festash. Sot shqiptarët do kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit të mos krijohet asnjë radhë.” tha Bledi Çuçi

Çuçi: Protokolli i parë që do nënshkruajmë me homologun Svelça që përgjatë periudhës së verës dhe gjatë fundjavave kur ka fluks lëvizjeje nga të dyja krahët ne do ta lehtësojmë plotësisht. Nëpërmjet protokollit të parë që do nënshkruajmë do përcaktojmë që prej 1 qershorit deri në 1 shtator, për çdo fundjavë dhe çdo ditë feste shtetërore në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare në mënyrë që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë për qytetarët në ë dyja anët. Protokolli

Nga Prishtina kryeministri Edi Rama, ironizoi të gjithë ata që kanë komentuar raportet jo të mira të Ramës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në fjalën e tij në mbledhjen e dy qeverive në Prishtinë Rama tha se dy homologët kanë raporte të mira mes tyre.

Faleminderit edhe për ndalimin e shiut, se ka pas herë pas here reshje. Ishte një qen aty që lehte, por nuk lehu më, çka mbase jem një mesazh për të ngjashmit e tij në botën e njerëzve, që kërkojnë të fusin zakonisht xixa mes nesh dhe kërkojnë të shikojnë me patjetër çështje të hapura mes meje dhe homologut këtu. Nuk ka të tilla, sepse ne jemi shumë të hapur dhe çështje për të cilat nuk merreshim vesh, kemi kënaqësinë e madhe t’i ndajmë duke u marrë vesh të mos merremi vesh. Kështu që me të falat përkatëse për qenin unë e konsideroj të hapur këtë mbledhje”, tha Rama.

Marrëveshja e parë që do të firmoset mes Shqipërisë dhe Kosovës është ajo e bashkëpunimit mes dy minsitrive të Arsimit. Me këtë marrëveshje pritet të hiqen të gjitha kufizimet e pranimit të studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë të të dy vendeve.

Kryeministri Rama nuk i harroi të bënte batuta më kryeministrin e Kosovës.

Rama: Mbledhje pune jemi na lejohen edhe vërejtje. Që kur Vetëvendosja ka marrë qeverinë këto gërmat janë zvogëluar, besoj për kursim letre. Sepse është fakt i njohur që Vetëvendosja është një forcë shumë e kujdesshme për shpenzimet buxhetore dhe tani me ndihmën e durimit tuaj po kërkoj pikën ku marrëveshja e bashkëpunimit për pranimin e studentëve në Shqipëri dhe Kosovë është një marrëveshje që merr rrugën sot.

Në fjalën e tij në mbledhjen e tetë të dy qeverive Kosovë Shqipëri në Prishtinë, kryeministri Edi Rama ka ftuar kryeministrin Kurti në kuvendin e përbashkët.

“Duke qenë se jemi në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë të kemi në nëntor kuvendin e përbashkët”, tha Rama.

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë po mbajnë mbledhjen e radhës të përbashkët në Prishtinë.

Delegacioni shqiptar ka mbërritur në hotelin po mbahet mbledhja dhe është pritur nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e tij.

Ndërkohë, është publikuar edhe logoja e mbledhjes së përbashkët.

 

Qeveria e Kosovës ka përfunduar çdo përgatitje protokollare në hotelin ku do të mbahet mbledhja e përbashkët mes qeverisë kosovare dhe asaj shqiptare.

Sipas gazetës Express, kryeministri Edi Rama dhe delegacioni shqiptar parashikohej të vinin në orën 10:45.

Agjenda vijon në orën 11:00, kur bëhet pritja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në orën 11:15  është planifikuar të nisë sesioni plenar i mbledhjes së dy qeverive dhe do të transmetohet drejtpërdrejt.

Më pas, do të vijojë konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe homologut të tij shqiptar, Edi Rama.

Mbledhja e fundit e mes dy qeverive ishte mbajtur në fund të nëntorit të vitit të kaluar në Elbasan, ku u nënshkruan 13 marrëveshje.

Për mbarëvajtjen e takimit midis dy qeverive, autoritetet në Prishtinë kanë bllokuar përkohësisht lëvizjen e automjeteve në disa rrugë të kryeqytetit.

Sipas Policisë së Kosovës, në momentin e ardhjes së përfaqësuesve shtetërorë nga Shqipëria, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim, policia rrugore do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të automjeteve në disa segmente rrugore ku pritet të kalojnë delegacionet.

Ditën e sotme Kosova dhe Shqipëria do të mbajnë mbledhjen e 8-të të përbashkët qeveritare, ku pritet firmosja e disa marrëveshjeve.

Ndërkohë ministrat shqiptarë janë nisur me autobus drejt Kosovës.

Ka qenë ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i cili ka shpërndarë një foto nga brenda autobusit me të cilin udhëtonin sëbashku ministrat shqiptarë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit