Flet investitori italian: Shqipëria vend tërheqës

Mos i humb

Shqipëria ofron mundësi investimi në shumë sektorë si energjia, mineralet, bujqësia, por veçanërisht sektori i turizmit po njeh rritje edhe përtej mundësive të operatorëve vendas, duke e kthyer në një nga fushat më tërheqëse për investime.

Prezantimi i këtyre mundësive ishte edhe fokusi i forumit që u mbajt në fillim të kësaj jave, ku në Tiranë zbarkuan 200 sipërmarrje italiane, të përfaqësuara nga 350 delegatë.

Forumi u dha mundësi sipërmarrjeve italiane të takohen me sipërmarrje shqiptare për të diskutuar mbi mundësitë e bashkëpunimit në fushat që paraqesin interes për të dy palët. Energjia, turizmi dhe infrastruktura ishin tre sektorët që zgjuan interesin e italianëve.

Giuseppe Ferrero, drejtuesi i kompanisë TUXOR, udhëheqëse në Europë në furnizimin mbarëbotëror të materialeve të çeliku për inxhinieri civile dhe petrokimike, në një intervistë për ATSH-në, shpreh besimin se investitorët italianë do të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit në Shqipëri.

“Shqipëria është një vend tërheqës për investitorët italianë”, ndërsa Ferrero merr angazhimin se këtë treg të vogël me potencial të madh do t’a prezantojë edhe në salla të tjera takimesh mes sipërmarrjes.

Ferrero thotë se kjo është vizita e tij e parë në Shqipëri dhe se kompania që ai drejton është një prej furnitorëve të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP), i cili transporton gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II në Azerbajxhan drejt Europës e që lidhet me gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

“Shqipëria ka etjen dhe dëshirën për të ecur përpara, për t’u zhvilluar. Ndjej kudo dëshirë dhe entuziazëm, kurajo dhe vullnet. Brenda 5 viteve do të ketë një zhvillim të madh”, shprehet ai.

Dëgjova kryeministrin dhe më pëlqeu shumë, nënvizon Ferrero. Dëshmoi, thotë ai, një gatishmëri të madhe për bashkëpunim dhe rreth 400 pjesëmarrësit në sallë e duartrokitën.

Ndërsa duke folur për projektin TAP, Ferrero shprehet se TAP është një projekt shumë i rëndësishëm, sepse tërheq kapitale dhe zhvillon rajonin. “Sot motorri i zhvillimit është energjia dhe TAP është energji”, deklaroi Ferrero.

Ai vlerëson se edhe marrëdhëniet e konsoliduara dhe afërsia gjeografike do të jenë faktorë që do të ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit dypalësh.

“Do të ftoja edhe investitorë të tjerë. Përse jo? Duhet pasur parasysh edhe afërsia gjeografike. Edhe kryeministri e tha se Shqipëria mund të bëhet një Itali e Jugut. Më pëlqeu shumë. Ka shumë ngjashmëri mes shqiptarëve dhe italianëve, mund të konsiderohen edhe si kushërinj. Kështu që shpresojmë të vijnë investitorë italianë dhe të investojnë në Shqipëri, në mënyrë që vendi të zhvillohet më shumë”, thotë Ferrero. /a.g/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit