Flet Vjosa Osmani: A do ta votojë LDK-ja shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

Mos i humb

Shoqatat e veteranëve kanë mbledhur mbi 10 mijë nënshkrime, nëpërmjet të cilave synojnë shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Fillimisht veteranët thanë se po kërkojnë plotësim-ndryshimin e Ligjit me arsyetimin se ishte diskriminues. Por, si do t’i përgjigjen partitë politike në Kuvend kësaj iniciative? Deputetja e LDK-së thotë se është kundër pengimit të punës së kësaj gjykate pasi aty mund të zbulohen vrasjet e veprimtarëve të LDK-së.

Për të marrë qëndrimin e LDK-së, Gazeta Express ka kontaktuar me disa zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por ata kanë refuzuar të japin përgjigje.

OVL e UÇK-së tashmë ka dërguar në Kuvend 16 mijë nënshkrime nëpërmjet të cilave synon ta shfuqizojë Ligjin për Gjykatën Speciale edhe pse fillimisht thanë se vetëm duan ta bëjnë plotësim-ndryshimin e ligjit.

Për këtë kanë shkruar edhe mediet e huaja, të cilat krejt këtë iniciativë e kanë ndërlidhur me emrin e Presidentit Hashim Thaçi, i cili, sipas tyre, qëndron prapa kësaj nisme edhe pse ai vetë ka kërkuar me ngulm që Ligji për Gjykatën Speciale të kalojë në Kuvend.

Por, për ta bërë këtë, duhen 2/3 e votave që vështirë se mund të arrihen në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri Haradinaj ka dalë kundër iniciativës së veteranëve duke thënë se po të ishte pro saj do ta nënshkruante peticionin. Ai ka thënë se obligimi që e ka marrë Kosova nuk do të dështojë.

Por, çfarë do të bëjë Lidhja Demokratike e Kosovës në rast se kërkohet ndryshimi i ligjit?

Në prononcimin për Express, Vjosa Osmani ka thënë se ende nuk e ka parë propozimin e veteranëve.

“Unë ende nuk e kam parë propozimin që synon ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, prandaj nuk mund ta komentoj përmbajtjen e atij dokumenti”, ka thënë Osmani për Gazetën Express.

Deklarata e saj vjen pikërisht në kohën kur anëtari i OVL të UÇK-së bëri komente shokuese për veprimtarët e LDK-së të vrarë pas luftës, duke thënë “se s’ka lidhje pse janë vrarë”.

E vrasja e këtyre veprimtarëve është arsyeja që Osmani nuk lëkundet nga mbështetja ndaj kësaj Gjykate.

“Në parim jam kundër çdo tentimi që ka për qëllim të pengojë punën e Gjykatës Speciale, në veçanti për shkak se tashmë dihet që kjo gjykatë do të trajtojë edhe disa nga vrasjet e pasluftës së veprimtarëve të LDK-së, të cilat bien në juridiksionin e saj. Obligimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë sa i përket Gjykatës Speciale, janë bërë edhe pjesë e Kushtetutës sonë”, ka thënë Osmani./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit