Deputeti Agron Shehaj zhvilloi sot një debat me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj për fondet e IPARD-it.
BE, sipas Shehajt, i kërkoi qeverisë të shpërndante fondet përmes procedurave, ku çdo fermer të kishte të njëjtat mundësi për t’i përfituar.
“Kjo ministri kishte për detyrë të shpërndante rreth 200 milionë euro ndihma falas për fermerët, pjesë e programit IPARD të BE-së, për t’i ndihmuar ata të ndërtonin një jetë më të mirë. Ju kishit një detyrë të thjeshtë të merrnit paratë nga IPARD dhe t’i çonit te fermerët pa i prekur ato”, tha Shehaj.
Por, vuri në dukje ai, pas 5 vitesh nga pothuajse 70 milionë euro që ishin shpërndarë, 33 milionë euro ishin vjedhur nga qeveria.
Sipas tij, paratë shkuan te xhepat e pushtetarëve, ju janë dhënë njerëzve të afërm me pushtetin, ndërsa renditi disa emra që sipas tij kanë marrë fondet që duhej të shkonin për fermerin.