Xhixho: A ka ministria një analizë të thelluar se përse erdhëm në këtë seancë. Përcjell këtu shqetësimin e mijërave prindërve që nuk kanë besim te shkolla. Është skandaloze si abuzohet me besimin e prindërve që përditë u flitet në tv për paketën në shkolla.
Në 2021 na futet pedofilët në shkolla, me skandalin në Berat dhe drejtorin e Lushnjës. Tani shkollës ia besojmë njerëzve të drogës. Ne atëherë propozuam regjistrin e abuzuesve seksualë, sot nuk është funksional, duke lënë të pambrojtur fëmijët tanë. Qershia mbi tortë, ku profesori i artit shpërndante drogë, është alarmant. Asnjë masë ndëshkuese, ku në një vend evropian dorëheqja juaj duhet të ishte akti më normal. Sot mësuesit janë kthyer në burokratë letrash. Sukseset reale i treguan shumë qartë rezultatet e Pisa-s.
Manastirliu: Të gjitha çështjet që ju parashtruat doja t’i prekja dhe të përmendja atë që ne jemi duke bërë për rritjen e cilësisë, mbështetjen e mësuesve, gjithëpërfshirjen e nxënësve në çdo skaj të vendit dhe masat që jemi duke marrë në reflektim të vlerësimeve ndërkombëtare. Një ndër çështjet që ju më ftuat nuk e cekët, se nuk ju pëlqejnë të vërtetat, sepse ajo që bëni është kapja e një rasti dhe përgjithësimi i tij, por dua të ndalem te trajtimi financiar i mësuesve që kulmoi këtë muaj me pagën mesatare të mësuesve që arriti 950 euro. Premtuam se do t’i rrisnim pagat e mësuesve me 40 për qind dhe këtë mandat e kemi bërë realitet. Do të vazhdojmë me mbështetjen. Përfitojnë mësuesit dhe edukatorët. Rritja e mësuesve do të jetë mesatarisht 18 mijë lekë në muaj.
Kemi ndërtuar një sistem të ri. Kjo skemë e re parashikon shpërblime për mësuesit e kualifikuar dhe mësuesit mjeshtër. Kjo skemë e re, që vjen në kuadër të zhvillimit profesional, krijon mbështetje në karrierën e tyre, që bën të mundur një përmirësim cilësor dhe realizon rritje në shkallët e kualifikimit, duke nxitur dhe zhvillimin profesional të mësuesve. Kjo do të ndikojë në orientimin efikas të nxënësve drejt karrierës. Skema ka bërë të mundur përfshirjen e universiteteve. Ndërtuam si një reagim ndaj vlerësimi i Pisa-s një plan për t’iu përgjigjur këtyre sfidave. Të mos harrojmë që Shqipëria u prek nga tërmeti në 2019 që shkaktoi dëme të mëdha në disa shkolla dhe 50 për qind e nxënësve që morën pjesë në Pisa vijnë pikërisht nga këto zona të prekura. Në uljen e performancës ndikoi edhe pandemia, duke dhënë rezultatet për të gjitha vendet. Pisa është pasqyruese momentale, ndaj ne reaguam menjëherë përmes masave konkrete.
Folët edhe për disa tekste, ne po vlerësojmë efektet e kurrikulave të reja, po bëjmë modernizimin e kurrikulës, me qëllim nxitjen e mendimit kritik. Integrimi i teknologjisë dhe informacionit po ashtu është prioritet yni, kemi mundësuar që 300 shkolla të sigurojnë marrjen e njohurive digjitale për fëmijët që në klasë të parë.
Fakt që sot pagat e mësuesve janë më të larta, kushtet e punës po ashtu, mësuesit futen në punë nëpërmjet një portali, ku mësuesit aplikojnë direkt. Përmendët edhe disa ngjarje që ne i dënojnë. Ndaj, kemi përcaktuar masa konkrete, ku është vendosur që asnjë i dënuar nuk mund të rivendoset në arsim. Por, që mund të ketë drurë të shtrembër, na bën jo vetëm të reflektojmë, por për të kaluar në një filtër tjetër çdo përgjegjës në sistemin arsimor. Jo vetëm kemi marrë masë, por kemi ngritur edhe një sistem të verifikimit të çdo punonjësi.
Këtë vit janë regjistruar në portal 1969 mësues, lista e pritjes së mësuesve në portal është rreth 9000. Nuk mund të flasim për braktisje.