Forum biznesi mes Shqipërisë dhe Iranit

Mos i humb

 

 

 Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Iranit në Tiranë organizuan forumin e përbashkët të biznesit Shqipëri-Iran.

Gjatë forumit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në disa sektorë si bujqësia, ndërtimi, prodhim i produkteve ushqimore, prodhimi i drurit, turizmi, si dhe u realizuan takime mes përfaqësuesve të bizneseve

Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa, në fjalën e saj tha se ka akoma shumë punë për të bërë për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike dypalëshe dhe shkëmbimet tregtare.

“Për të arritur këtë duhet të punojmë me axhenda të përbashkëta për të organizuar sipërmarrjet tona që të marrin pjesë në panaire, apo misione tregtare të cilat tashme mendoj që duhet të fillojnë të shpeshtohen. Institucionet e larta shtetërore janë duke ndërmarrë hapa drejt plotësimit të kuadrit ligjor për t’u dhënë shtysë shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare. Është në proces negocimi marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, si dhe marrëveshja për eliminimin e taksimit të dyfishtë. Të gjitha këto elementë mendoj që në momentin që do të aplikohen do të jenë një ndihmëse për sipërmarrjet tona”, tha ajo.

Muçostepa tha se Shqipëria është një vend tërheqës me shumë sektorë për investitorët e huaj.

“Stabiliteti makroekonomik, kuadri ligjor i favorshëm dhe reformat strukturale të ndërmarra kanë krijuar terrenin e përshtatshëm ku mund të investoni kapitalet tuaja. Tashmë Shqipëria është dhe porta hyrëse dhe orientuese, jo vetëm në një treg të vogël si ai shqiptar, por në gjithë Ballkanin”, deklaroi Muçostepa.

Ndërsa kryetari i Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Bujqësisë së Iranit, Golamhossein Shafeei, tha se marrëdhëniet ndërmjet Iranit dhe Shqipërisë janë të hershme, të cilat sipas tij, pavarësisht ulje dhe ngritjeve gëzojnë një vend pozitiv në opinionin publik të të dy vendeve.

“Populli i Iranit ka pasur gjithmonë konsideratë për popullin shqiptar. Si vazhdim i historisë, besimit dhe kulturës, po bëjmë përpjekje për të forcuar gjithnjë e më tepër marrëdhëniet ekonomike, kulturore, shkencore, teknologjike, industriale, akademike dhe turistike me Shqipërinë”, u shpreh Shafeei.

Duke folur për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, Shafeei tha: “Irani është një nga prodhuesit e mëdhenj të naftës dhe gazit natyror dhe një vend i pasur me rezerva minerare. Investimi në fushën e shërbimeve dhe pajisjeve të instalimeve të naftës dhe gazit, shërbimeve dhe pajisjeve minerare, industrisë energjetike, industrisë së shfrytëzimit, është një rast i volitshëm për faktorët ekonomikë të Shqipërisë. Aktualisht zhvillimi i marrëdhënieve të Iranit me vendet e rajonit të Ballkanit, pra edhe me Shqipërinë, në fushat e transportit , peshkimit, bujqësisë, produkteve ushqimore, energjisë, naftës dhe gazit, minierave është në rendin e ditës së Dhomës së Tregtisë së Iranit”.

Sipas tij, Shqipëria mund të luajë për importet dhe eksportet e Iranit në Evropë të njëjtin rol që Irani mund të luajë si portë hyrjeje e Shqipërisë në vendet rreth detit Kaspik.

Gjatë forumit, u organizuan edhe takime B2B, të cilat u fokus kishin diskutimet për bashkëpunim në disa sektorë, ndërsa sipas organizatorëve ky aktivitet ishte një mundësi e mirë për sipërmarrjen e të dy vendeve, për të ndarë përvojat e tyre dhe për bashkëpunime të mundshme në të ardhmen.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit