Franca përsërit kërcënimin e hakmarrjes lidhur me krizën e peshkimit

Mos i humb

Ministrja e Detarisë e Francës, Annick Girardin, ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian (BE) do të marrë masa hakmarrëse nëse Britania e Madhe nuk zgjidh problemin e peshkimit deri më 10 dhjetor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Girardin për gazetën ’Ouest France’ tha se Britania “ende nuk ka lëshuar” licenca për 154 peshkatarë francezë për të peshkuar në ujërat territoriale britanike.

Duke akuzuar Londrën se “po teston solidaritetin” e BE-së, Girardin tha se ata do të përpiqen të zgjidhin krizën me Britaninë e Madhe deri më 10 dhjetor.

Ajo vuri në dukje se nëse Britania e Madhe nuk u jep licenca peshkatarëve francezë deri në këtë datë, BE-ja do të bëjë atë që është e nevojshme dhe do të ndërmarrë veprime ligjore.

Më 29 nëntor, ministri francez për Çështjet Evropiane, Clement Beaune, gjithashtu paralajmëroi se Franca do të ndërpresë negociatat nëse Britania nuk bën ndonjë përparim në dhënien e licencave të reja të peshkimit në 10 ditët e ardhshme.

Pasi Parisi kërcënoi se do të vendoste sanksione më 2 nëntor, Britania sinjalizoi lëvizje konstruktive për licencat e peshkimit dhe iu bashkua negociatave me Komisionin Evropian për mosmarrëveshjen mbi licencat e peshkimit në Kanalin Anglez.

Masat përfshinin shtrëngimin e doganave për produktet dhe kamionët e Britanisë së Madhe dhe ndalimin e hyrjes së peshkatarëve britanikë për të shkarkuar ngarkesat e tyre në portet franceze.

Franca thotë se Britania ka shkelur marrëveshjen e peshkimit pas Brexit-it dhe e ka ndryshuar atë me uljen e licencave për peshkatarët francezë. Sipas dispozitave të reja në prag të Brexit-it, peshkatarët nga BE-ja mund të vazhdojnë të peshkojnë në ujërat britanike duke marrë një licencë të re e cila vërteton se kanë peshkuar tradicionalisht në ato ujëra më parë.

Çështja e licencave të peshkimit ka rezultuar në një përplasje mes dy vendeve prej muajsh. Më herët, Franca kishte kërcënuar se do të hakmerrej duke reduktuar furnizimin me energji elektrike në Ishullin Jersey.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit