Franca vendos për vaksinimin e detyruar të punonjësve shëndetësorë

Mos i humb

Urdhri i vaksinimit hyn në fuqi në të gjithë Francën të mërkurën, duke prekur rreth 2.7 milionë persona në profesionet e kujdesit shëndetësor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas medias franceze “franceinfo”, urdhri do të zbatohet për infermierët dhe mjekët, kujdestarët nëpër shtëpi dhe shtëpitë e pleqve, zjarrfikësit, paramedikët, personelin e urgjencës dhe disa pjesëtarë të xhandarmërisë. Ata që refuzojnë të respektojnë rrezikojnë largimin pa pagesë dhe sanksione të mundshme. Urdhri do të prekë ata që punojnë si në funksion publik ashtu dhe në atë privat.

Të gjithë ata që janë të punësuar në profesionet e kujdesit shëndetësor duhet të paraqesin një orar të plotë vaksinimi, që do të thotë ose dëshmi të marrjes së dozës së parë të vaksinimit kundër COVID-19 ose një test negativ të kryer në 72 orët e fundit.

Përballë një pandemie në përshkallëzim dhe variantit Delta në rritje, urdhri u vendos për herë të parë nga presidenti Emmanuel Macron në një fjalim më 12 korrik.

“Nëse nuk veprojmë tani, numri i rasteve do të vazhdojë të rritet dhe në mënyrë të pashmangshme do të çojë në shtimin e shtrimeve në spital në gusht”, tha kreu i shtetit në një fjalim televiziv.

Detyrimi i vaksinimit mbështetet nga neni 7 i ligjit më të fundit sanitar të thirrur zyrtarisht nga qeveria në gusht. Punëtorët që nuk marrin dozat e detyrueshme të vaksinës brenda një kohe të arsyeshme do të pezullohen pa pagesë.

Ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran ka premtuar se do të kryejë kontrolle të rastësishme në zyrë ose në mënyrë dixhitale dhe autorizoi autoritetet shëndetësore të secilit rajon të monitorojnë nga afër mjekët në zonat e tyre.

“Nga 15 shtatori, nëse jeni kujdestare dhe nuk jeni të vaksinuar, nuk do të jeni më në gjendje të punoni dhe nuk do të paguheni më”, tha Veran në një intervistë për stacionin televiziv francez LCI të hënën.

Përjashtimet bëhen vetëm për ata që kanë gjendje shëndetësore që i pengon të vaksinohen.

Mjekët privat që mbeten të pavaksinuar do të gjobiten me 135 euro (160 dollarë). Tri shkelje brenda një muaji do të rezultojnë me një gjobë prej 3.750 euro me mundësi prej 6 muajsh burg.

Sipas shifrave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë në Francë, pak më shumë se 88 për qind e kujdestarëve në spitale dhe shtëpi kujdesi kanë marrë të paktën një dozë dhe të paktën 94 për qind në disa zona.

Për tetë javë rresht janë mbajtur demonstrata çdo të shtunë nga ata që janë kundër rregullores shëndetësore, dëshmi e vaksinimit ose testit negativ, që është e detyrueshme për hyrjen në të gjitha vendet publike, përfshirë restorantet, baret, kafenetë, kinematë, teatrot dhe sallat e koncerteve në të gjithë vendin. Protestat janë zhvilluar në qytetet kryesore të Francës, përfshirë Parisin. Demonstratat priten përsëri këtë fundjavë.

Shkalla e infeksionit në Francë dhe numri i rasteve ranë ndjeshëm që kur urdhri shëndetësor hyri në fuqi më 9 gusht ndërsa francezët nxituan në farmaci dhe pika vaksinimi për të marrë vaksinën.

Shifrat e fundit nga Ministria e Shëndetësisë, që nga 13 shtatori, raportojnë se 49.556.778 njerëz kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës. Deri më tani, 6.917.460 raste të COVID-19 janë regjistruar në Francë së bashku me 115.752 vdekje.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit