Francë, disa ministra u akuzuan për thyerjen e kufizimeve të COVID-19 në restorante të paligjshme

Mos i humb

Në kryeqytetin e Francës, Paris, disa ministra dhe deputetë thuhet se thyen kufizimet e koronavirusit të ri (COVID-19) duke ngrënë në restorante luksoze që funksionojnë në mënyrë të paligjshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në incizimet e bëra nga kanali televiziv M6 me një aparat të fshehtë, u zbulua se restorantet luksoze të ndërtuara nën tokë në qendër të Parisit shërbyen fshehurazi me menu të përgatitura nga kuzhinierë të famshëm.

Në imazhe shihet se kamerierët dhe klientët janë pa maska në restorantet që supozohet të ofrojnë vetëm shërbim me porosi për shkak të kufizimeve.

Gjithashtu, një person thotë se këtë javë ai ka darkuar me disa ministra dhe ligjvënës në disa nga këto restorante luksoze.

Më tej thuhet se çmimet e menusë në restorantet në fjalë kanë arritur në 490 euro.

Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, në llogarinë e tij në Twitter deklaroi se i ka dërguar një kërkesë Departamentit të Policisë së Parisit për të hapur një hetim mbi përmbajtjen e lajmit dhe për të ndjekur penalisht pronarët dhe klientët e këtyre restoranteve në rast të konfirmimit.

Departamenti i Policisë së Parisit hapi një hetim mbi pretendimet në fjalë.

Forcat e sigurisë bastisën festat sekrete

Nga ana tjetër, xhandarmëria bastisi festën e fshehtë në rajonin Aix-en-Provence, me rreth 150 të pranishëm.

Pasi shumë automjete u mblodhën rreth një ndërtese të papërdorur në qytetin e Fuveau, xhandarmëria dje në mbrëmje bastisi hangarin e papërdorur pas njoftimit të banorëve të rajonit.

Gjatë bastisjes përafërsisht 150 njerëz në hangar u dënuan për shkelje të kufizimeve.

Departamenti i Policisë së Parisit gjithashtu bastisi një takim në periferi të Saint-Denis, ku konfirmoi se merrnin pjesë të paktën 80 persona.

Ministria e Brendshme në rregullat e kufizimit të shpallura në fund të muajt mars në të gjithë vendin ndaloi mbledhjen e më shumë se 6 personave.

Në Marseille në një bastisje në sallat sportive policia gjobiti 23 persona për mos paraqitje të një dokumenti që i lejonte ata të ushtronin.

Forcat e policisë gjithashtu paralajmëruan personat përkatës në 2 palestra për mosrespektimin e plotë të kufizimeve të COVID-19.

Një palestër që ishte paralajmëruar më parë u mbyll për 15 ditë për të njëjtën arsye.

Dje hynë në fuqi masat e reja

Sipas masave të reja të njoftuara nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kufizimet e daljes në rrugë, të cilat ishin vendosur më parë për 19 rajone, filluan të zbatoheshin në të gjithë vendin për 4 javë nga 3 prilli. Gjithashtu u vendos orë policore në të gjithë vendin midis orës 19.00-06.00.

Ndërsa njerëzit u lejuan të udhëtonin vetëm rreth 10 kilometra nga shtëpitë e tyre, pas 5 prillit u ndalua udhëtimi ndër qytete.

Gjithashtu u mur një vendim për t’i mbyllur të gjitha dyqanet në të gjithë vendin përveç dyqaneve që shesin sende të domosdoshme.

Kopshtet, çerdhet, shkollat ​​fillore, shkollat ​​e mesme dhe gjimnazet u mbyllën për 3 javë që nga 5 prilli.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit