Furrat rrezikojnë shëndetin e shqiptarëve, bukë me proteina të ulëta dhe lagështi jashtë normave

Mos i humb

Shqiptarët renditen të parët në Evropë për konsumin e bukës. Pesë mostra buke të marra në furra të ndryshme dhe analizuara në laborator, rezultojnë jashtë standardeve dhe legjislacionit të detyrueshëm për bukën: Proteina të ulëta, lagështi jashtë normës. Ekspertët dhe mjekët japin alarmin për shëndetin dhe mashtrimin e konsumatorëve, AKU pranon situatën.

Nga Maringlen Mertiri*

Të ushqehesh me bukë, aq sa vetëm shqiptarët e konsumojnë dhe të mos marrësh proteinat e duhura e ky produkt të mos jetë në standardet e lejuara me ligj, duke dëmtuar dhe shëndetin e popullatës, ndodh hapur në Shqipëri, nën hundën e institucioneve kontrolluese.

Qendra ALERT, një Organizatë Jofitimprurëse, ka nisur zbatimin e projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, si një ndihmesë për konsumatorin në gjetjen dhe denoncimin e rasteve abuzive me sigurinë ushqimore, veçanërisht për produkte të shportës. Pikërisht për këtë arsye, duke qenë se buka është produkti më masiv i përdorshëm dhe i konsumueshëm, gjetjet e projektit nisën pikërisht me të, për të vijuar më pas me shumë produkte të tjera.https://www.youtube.com/embed/dgTJocFAkd4?feature=oembed

Furrat e bukës mashtrojnë konsumatorët dhe shesin produktin më të blerë nga shqiptarët, bukën, nën proteinat e lejuara me ligj dhe me nivel të lagështisë jashtë kritereve. Ky akt kryhet në zonën më qëndrore të Shqipërisë siç është Tirana dhe Kamza, rajone ku është përqëndruar edhe popullsia kryesore e vendit dhe ku konsumi i produktit të bukës është në shifra të larta për frymë.

Qëndra “Alert” ka investiguar disa furra buke në Tiranë dhe në Kamëz, nga ku ka përftuar analizat, të cilat tregojnë se niveli i proteinave në bukët e blera është nën masën 12% dhe niveli i lagështisë poshtë 46%.

Në muajin nëntor, në mënyrë rastësore në Kamëz u blenë dy bukë në dy furra, dy bukë u blenë në zonën e Paskuqanit dhe një bukë u ble në zonen e Freskut në Tiranë. Pas marrjes së produktit sipas paketimit që këto njësi tregtare bënin për konsumin e përditshëm të çdo qytetari, ato u dërguan për t’u analizura nga laboratori i akredituar në Tiranë, “Noval”.

Analizat e përftuara konfirmuan se, konsumatorët mashtrohen përsa i përket proteinave që duhet të ketë buka në përmbajtjen e saj dhe shkelin ligjin. Mjekët e cilësojnë këtë abuzim me pasoja për shëndetin e qytetarëve, ndërsa specialistët e fushës thonë se, kjo shkelje vjen për shkak të manisë për të rritur fitimet në dëm të cilësisë së produktit bazë.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe urdhërit Nr. 207 datë 31.3.2015, “Për Përcaktimin e Treguesve të Sigurisë dhe Cilësisë së Miellit të Grurit të Parapaketuar, për t’u shitur tek Konsumatori i Fundit ose për Prodhimin e Produkteve të tjera Ushqimore”, niveli i proteinave duhet të jetë 12% për bukën masive popullore, 12.5%, për pica, kruasan dhe petë, 9% për ëmbëlsira, kek, biskota, petulla dhe 11% për makaronat. Dhe, sipas ekspertit të njohur Abdyl Sinani, ish-Profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, analiza e bukës, në lëndën e thatë, proteina duhet të jetë aq sa e miellit.

Por ajo çfarë konfirmoi analiza rezultoi se, asnjë prej kampionëve të bukës nuk kishte këto përqindje proteinash në përmbajtjen e saj, duke sjellë në radhë të parë një mashtrim për konsumatorin, shkelje të udhëzimit të Ministrit të Bujqësisë që rregullon këtë industri dhe dëmtim të shëndetit të qytetarëve të pambrojtur nga biznesi dhe nga institucionet përgjegjëse.

Analizat konfirmuan se, proteinat në bukë rezultojnë në rastin më të mirë, sa ato të lejuara për makarona, 11% dhe në rastin më të keq, sa proteinat e lejuara për ëmbëlsirat dhe biskotat me nivel proteinash vetëm 9%, gjë e cila ngre dyshimet se bizneset për të rritur fitimet përdorin miell me nivel të ulët proteinash të destinuar për makaronat dhe ëmblësirat për shkak të kostos më të lirë.

Por, le t’i analizojmë më konkretisht. Një nga abuzuesit me cilësinë e produktit të  bukës është furra “Alna” në zonën e Freskut në Tiranë. E regjistruar në tatime me emrin e Ali Dedollit dhe me vendndodhje në Qesarakë. Sipas analizimit të kampionit të bukës masive 500 gramë të bardhë rezultoi se, sasia e proteinave ishte 9% nga 12% që parashikohet ligjërisht nga Ministria e Bujqësisë, ndërsa përqëndrimi i lagështirës 42.7% nga mbi 46% që duhet të jetë minimalja. Kjo furrë buke është një nga bizneset më të frekuentuar në zonën e Freskut ku qytetarë të shumë kryejnë blerjen e produktit të përditshëm të tavolinës së tyre, bukën.

Në Kamëz, në rrugën “Selanik”, furrë buke dhe pastiçeri ”Fatmiri”, nga buka masive që u ble rezultoi sipas raport-analizës se, niveli i proteinave ishte 10.8%, ndërsa poshtë norma e nivelit të lagështisë, 40.6%.

Po ashtu në Kamëz, furra e bukës “Redami” me adresë “Bulevardi Blu”, proteina në bukë 500 gramë, lëndë e thatë rezultoi 9.8%, ndërsa lagështia në bukë 43.1%. Edhe në këtë biznes, niveli i proteinave rezultoi nën normë, ndërsa po jashtë kritereve është edhe lagështia në bukë, e cila është 43,11%.

Furrë buke “Speciale” me adresë në Paskuqan, rruga “Demokracia”, Pallatet “Infinit Plus”, rezultoi nga analizat se, niveli i proteinave në bukën masive 500 gramshe ishin 11.2%, ndërsa niveli i lagështisë ishte brenda normave të lejuara, 46.7%

Furrë buke “Theros” në Paskuqan, me adresë Rruga “Demokracia”, buka masive 500 gramëshe rezultoi nën proteinat e lejuara. Nga analizat e laboratorit u konfirmuan se, niveli i proteinave ishte 9.8%, ndërsa komponenti tjetër, lagështira në bukë 46%, brenda normave.

Të dhënat e përftuara nga analizmi i laboratorit, jo vetëm që nuk i korespodojnë udhëzimit të Ministrit të Bujqësisë, por vërehet se nga një subjekt tregtar, furrë buke, në një tjetër, vlerat e proteinave dhe e lagështisë pësojnë luhatje të ndryshme, duke treguar abuzimin që tregtarët bëjnë me këtë produkt dhe me miellin.

Proteinat dhe lagështinë në bukë, ndikimi në shëndet

Profesori i njohur, Prof. Dr. Abdyl Sinani, ekspert i prodhimit të brumrave, i cilëson këto rezulate, sa i përket proteinave, si jashtë normave të lejuara dhe thotë se, “konsumi i bukës me sasi të ulëta proteinash, ul vlerën ushqyese të saj. Poteinat janë elementë ndërtues të organizmit. Ato janë furnizuesi i vetëm i Azotit, që është i domosdoshëm për zhvillimin e trupit të njeriut. Mungesa e proteinave dobëson metabolizmin në organizëm”.

Shqipëria, sipas revistës Monitor, referuar raportit të Eurostat, renditet e para në Evropë përsa i përket konsumit të bukës dhe drithrave, në raport me numrin e popullsisë. Bazuar në të dhënat e këtij instituti, për vitin 2017 shpenzimet për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) ishin 4.9%, më të lartat në Europë, gjë e cila tregon se shqiptarët, proteinat më së shumti i marrin nëpërmjet produktit bukë. (https://www.monitor.al/eurostat-shqiperia-shteti-qe-shpenzon-shume-per-buke-dhe-drithera-ne-europe/ )

Buka është ende ushqim bazë në Shqipëri, pasi konsumi për person në ditë llogaritet në rreth 300 gramë dhe si i tillë çon në keq ushqyerje dhe në anemi, sidomos te fëmijët. Ndaj, eksperti Abdyl Sinani thotë se, “niveli i proteinave duhet mbi 12% në bukë, kjo sepse në vendin tonë kemi konsum më të lartë të drithrave krahasuar me vendet e tjera që konsumojnë më shumë produkte shtazore të cilat mbartin sasi edhe më të lartë proteinash”.

Nutricionise dhe Biologe Molekulare, Hyrida Basha e pyetur për këtë problem thotë se, nëse nuk marrim sasinë e duhur të proteinave nga buka, atëherë pashmangshmërisht ky zëvendësim vjen me CHO (Karbohidrate) ose Yndyrna. “Rekomandohet konsumi i 4-6 feta bukë integrale në ditë, të cilat janë esenciale për ekuilibrin energjik.”

“Një i rritur duhet të konsumojë të paktën 90 gr. proteina në ditë, një pjesë e mirë e të cilave merret prej bukës. Nëse sasia e proteinave nuk është në nivelet e duhura, atëherë sasia e karbohidrateve do jetë e lartë, situatë kjo që do të ndikojë negativisht nëse kemi qëllim uljen në peshë, menaxhimin e diabetit, nivelin e yndyrnave në gjak etj. Niveli i ulët i proteinave gjithashtu ndikon në rënien e flokëve, dobësimin e thonjve, dobësimin dhe humbjen e masës muskulare, rrit ndjesinë e urisë e si pasojë shtimin e kalorive nëpërmjet ushqimeve të papërshtatshme, inhibon (ndalon/pengon) veprimin e hormonit të rritjes GH, nxit dhjamosjen e mëlçisë e të tjera probleme shëndetsore”, deklaroi nutricionistja Hyrida Basha.

Ndërsa Mjekja Mikrobiologe pranë Institutit të Shëndetit Publik, Dr.Blerta Brati Kika, flet për të dhënat e analizave sa i përket lagështisë dhe ujit në bukë. Sipas saj, “gjatë pjekjes së bukës, një pjesë e ujit të përdorur avullon, por vlerat e lagështisëe duhet të mbeten tek 46% – 50 %. Përmes ujit, mielli dhe përbërësit treten dhe homogjenizohen. Në këtë mënyrë, brumi bëhet i padepërtueshëm nga gazi që formohet. Përmes hidratimit, gjithashtu të majasë së perdorur, krijohet terreni i përshtatshëm për veprimin e enzimave. Buka siguron vitamina të grupit B, si dhe vitaminë E, të nevojshme veçanërisht për funksionimin e duhur të sistemit nervor dhe metabolizmin e sheqernave”.

AKU njeh dhe pranon problemin

Interesimit i Qendrës ALERT mbi këtë shqetësim real rreth cilësisë së produkteve që këto biznese tregëtojnë për konsumatorin fundor, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit konfirmon se, ka dijeni dhe ka marrë denoncime nga konsumatorët, por analizat e marra çuditërisht gjatë 2020 i kanë rezultuar brenda parametrave.

“Subjektet që prodhojnë, tregtojnë produkte me bazë brumi (bukë masive) referuar Udhëzimit të Ministrit Nr. 207, datë 31.03.2017 shtojëca 3 e këtij udhëzimi, kanë detyrim përdorimin e miellit sipas përcaktimit të % së proteinës në prodhimin e produkteve me bazë brumi; Bukë masive    12% proteina; Bazë picash, petë, 12.5% proteina; Ëmbëlsira, kek, biskota petulla 9% proteina dhe makarona, 11% proteina”, shprehet AKU.

Autoritetit Kombëtar i Ushqimit,  ka pranuar gjithashtu, se nga inspektimet e vitit 2020, në shumë raste furrat e bukës kanë shfaqur mangësi dhe probleme në zbatimin e kushteve që i detyron ligji. “Gjatë kontrolleve zyrtare, problematikat që hasen më shpesh në furrat e bukës kanë qenë përkatësisht, mungesë dokumentacioni shoqërues për lëndët e para dhe produktin e gatshëm, mangësi në zbatimin e planit HACCP, mungesë e kundraetiketës në gjuhën shqipe për miellin e importit, mungesë në mbajtjen e sistemit të gjurmueshmërisë dhe mangësi në kushtet higjieno-sanitare”, thuhet në përgjigjen e AKU dërguar Qendrës ALERT.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit edhe pse është fuqizuar vitin e fundit me ligje të posacme për të luftuar fenomene të tilla abuzmi në dëm të konsumatorit, madje edhe me ndryshime në Kodin Penal, ku është parashikuar dënimin me burg për shkelësit e ligjit, ende nuk ka mundur të vendosë situatën në kontroll dhe kjo në kryeqytet, ku fuqia inspektuese është më e lartë se rajonet e tjera.

Konsumatorë janë dyfish të pambrojtur si nga bizneset private, por edhe institucionet e sigurisë ushqimore, pasi këta të fundit inspektimet e bëra jo vetëm që nuk informojnë konsumatorin mbi shkeljet e gjetuara, por nuk kanë një llogaridhënie dhe orintim të konsumatorëve në faqet e tyre online për të shmangur njësi tregtare që kanë shfaqur problematika të shtuara dhe që janë lajmëruar disa herë, gjobitur apo edhe mbyllur për mosplotësim të kushteve. Duke vepruar kështu, konsumatori mbetet në terr informativ dhe shëndeti i tij mund të ekspozohet ndaj rreziqeve të shtuara.

Qendra ALERT / Alert.al

*Autori i shkrimit ushtron profesionin e gazetarit prej 12 vitesh. Ka mbaruar studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Ai ka ushtruar profesionin e gazetarit në disa media të shkruara dhe vizive, duke qenë dhe gazetar investigativ. Aktualisht, është redaktor i lajmeve ne Televizionin Neës24 dhe bashkëpuntor në projektin e Qendrës ALERT.

Materiali është realizuar nga Qendra ALERT, si pjesë e projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit