Në prezantimin e platformës së tij për të drejtuar këtë institucion, Rusmali tha se ka një perceptim sikur Avokati i Popullit është anti-shtet, ndërkohë që ky është një organ kushtetues.

“Motivi i parë që më ka shtyrë të kandidojë është personal. Jam jurist, i tillë kam qenë edhe kur kam qenë i angazhuar në politikë. kjo nuk më ka shkëputur nga profesioni. Specialiteti im ka qenë e drejta kushtetuese dhe avokati i popullit është par excellence në të drejtën kushtetuese. Kam edhe një motiv jopersonal, interes public. Avokati i popullit zgjidhet nga Kuvendi, ka një pushtet të derivuar. Avokati i popullit është shtet, ky është keqkuptim. Shtet i themi policisë, avokati i popullit nuk është ligjzbatues. Ka një perceptim sikur avokati i popullit është anti shtet. Nuk mund të jetë anti shtet sepse është organ kushtetues. Ka një keqkuptim që e ngatërron avokatin e popullit me avokatin privat. Avokati privat ka një funksion të përcaktuar në raport me një çështje. Avokati i popullit nuk e zëvendëson apo konkurron avokatin privat”, tha Rusmali.

Sipas tij “tendenca e administratës për arbitraritet është natyrore. Një nga instrumentet që mund ti kundërvihet është Avokati i Popullit. Këtu është hapësira e tij dhe brenda kësaj hapësire mund të bëjë gjëra të mrekullueshme. Ka ardhur koha që Avokati i Popullit të gjejë pozicionin e tij kushtetues. Besoj se mjetet nuk i mungojnë. Besoj se avokatit të Popullit i ka munguar ekzistenca e matësave për efikasitetin e tij. Nuk është aspekti sasior, por sa procedura administrative janë korrigjuar, përmirësuar, saktësuar; sa ka arritur administrate të reduktojë arbitraritetin e vet natyror”.

Felaj: Më vjen mirë që iu kemi në Kuvend si kandidat për Avokatin e Popullit. Sa të konkurruar e ndjeni veten në këtë kandidim?

Rusmali: Kësaj gare nuk i kam shumë për ti ofruar përveç vizionit dhe eksperiencës profesionale. Nëse kjo mjafton për të ushtruar funksionin sipas këtij vizioni, e shoh me shumë interes. Jam i sigurtë se të gjithë kandidatët kanë pa diskutim në cv e tyre të dhëna që janë të besueshme, por është gjykimi juaj se cilat do të çmoni.

Majko: unë nuk kisha pyetje të vërtetë, por do vazhdoj atë që dha si përgjigje Rusmali. Ka qenë një nga ne, ka qenë kryetar i komisionit të ligjeve, me të cilin kemi debatuar shpesh. Rusmali është një nga juristët më të mirë që ka sot vendi ynë. Jo këtu por edhe më tepër meriton.

Bylykbashi: Qëndrimi juaj është që çdo gjë shumë e komplikuar nuk është shumë e vlefshme. Kam një merak që e thashë edhe më herët, përtej asaj që janë hapësirat që lejon korniza aktuale ligjore, mendoni që është e nevojshme që për hir të efikasitetit të jenë të nevojshme të forcohen instrumentet ligjorë në dorë të Avokatit të Popullit? Kushtetuta me 94 vota ka parashikuar që Avokati është organ monokratik, mos kemi ndërtuar një system që do pengonte nga brenda efikasitetin e punës së avokatit të popullit, çështja e komisionerëve?

Rusmali: nëse do kishte nevojë për të përmirësuar diçka, do kishte nevojë për disa dispozita për lehtësimin e aksesit të Avokatit të Popullit në administratën publike. Perceptimi është që Avokati është armiku dhe duhet ti mbyllim derën. Unë nuk kandidoj që të shpërbëjë komisionerët. Ata ushtrojnë funksionet e tyre në zbatim të mandatit që kanë. Institucioni funksionon fare mirë edhe në këtë formë. Nëse ka përplasje është komisioni i ligjeve dhe Parlamenti garant.

Çupi: Nuk do bëj pyetje se si do e drejtoni se e di që do e drejtonit në mënyrë shumë të mirë. Uroj që ju të jeni personaliteti më konkurrues në këtë listë.

Rusmali: Jam i emocionuar kur dëgjoj këto vlerësime. Për mua janë gjithçka.