Gaza, protestë kundër vendimit të SHBA-ve për reduktim të ndihmave

Mos i humb

Mësuesit e punësuar në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë ndaj Refugjatëve Palestinezë (UNRWA) dhe nxënësit e tyre protestuan kundër vendimit të SHBA-ve për reduktimin e ndihmave.

Mësuesit dhe nxënësit pjesëmarrës në marshin e organizuar në Xhibalia të Rripit të Gazës, mbanin pankarta me mbishkrime “Nuk do të mbetem refugjat, do të kthehem sërish” si dhe “Ndershmëria nuk ka çmim”.

Në deklaratën për AA, Mahmud Haled, anëtar i Komitetit Qendror të Frontit Demokratik për Çlirim të Popullit Palestinez (FDÇPP), tha se kjo protestë është organizuar për të bërë të ditur se të gjitha grupet palestineze refuzojnë vendimin e SHBA-ve për reduktim të ndihmave ndaj UNRWA-së.

Halef theksoi se reduktimi i ndihmave ka ndikuar në të gjitha fushat e jetesës së refugjatëve palestinezë, përfshirë arsimin, shëndetësinë dhe çështjet e tjera.

Sipas tij, reduktimi i ndihmave nga ana e SHBA-ve është një veprim politik dhe se shënjestron të drejtën e refugjatëve për kthim në vendin e tyre. Halef shtoi se SHBA-të duan të heqin nga tryeza e bisedimeve dosjen e refugjatëve.

Ai më tej përkujtoi se grupet palestineze i refuzojnë vendimet e SHBA-ve lidhur me UNRWA-në dhe bëri thirrje që UNRWA të qëndrojë besnike ndaj ndihmave dhe rolit përkujdesës ndaj refugjatëve.

Qeveria amerikane, më 16 janar pati njoftuar se do të pezullojë pjesën e ndihmave prej 65 milionë dollarësh nga gjithsej 125 milionë, me qëllim rishqyrtimi.

Sipas të dhënave të siguruara nga Qendra Statistikore e Palestinës, në UNRWA janë të regjistruar 5.9 milionë refugjatë palestinezë nga të cilët 2.1 milionë jetojnë në Jordani, 1 milion e 445 mijë në Gaza dhe të tjerët në Bregun Perëndimor, Siri dhe Liban./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit