Gazment Bardhi me fermerët e Dumresë: Plani i PD me subvencionet shpëton bujqësinë dhe nxjerr fshatin nga varfëria

Mos i humb

Drejtuesi politik i PD-së për Elbasanin, Gazment Bardhi ishte sot një takim me fermerët në zonën e Dumresë ku iu shpjegoi atyre programin e PD, që synon mbështetjen e secilit në bazën e prodhimit.
“Deri më sot, kemi 6 a 7 vite që nuk kemi marrë asnjë lloj subvencionimi fare.

Dumrea rigonin e bën shumë, është një lloj si Malësia e Madhe, se ne vetëm këto kemi, rigon, duhan dhe ullinj, por duhet pak subvencionim sepse është problem kur mbillet fillimisht, do një çik shpenzime të mëdhaja, jo bimët, jo punëtorët, të gjitha gjërat”, u shpreh një fermer.

Bardhi: Sa ka qenë çmimi para dhe sa ka rënë?

Fermeri: Unë kam pasur rigon dhe e kemi shitur me 3 mijë lek të vjetra kilogramin.

“O zotëri, tetë vite çfarë kë dhënë ti… s’ke dhënë asnjë gjë…. Tani çfarë pret nga unë ti që të jap edhe katër vite, kur ti nuk më dhe në tetë vite… ndryshoje, atë e di populli, populli jemi ne. Po populli vetëm të jetë budalla, ndryshoje o vëlla!”, reagon i revoltuar një prej pjesëmarrësve në takim.
Bardhi: Dhe siç e the vetë, atë e kemi në dorë ne, të gjithë bashkë.

“Para 15 vitesh, të gjithë këto ullinj që janë mbjellur këtej, janë mbjellur të gjithë me subvencionime, sepse nuk kishte fshatari lek të blinte shtatë mijë lek a tetë mijë lek një rrënjë ulliri në atë kohë. Vetëm subvencionimet e rritën Dumrenë dhe e bënë me ullinj. Subvencionimet e shtetit që dha zoti Berisha e bënë të gjithën me ullinj, edhe këtu të subvencionojë një çik shteti te rigoni dhe nuk ke nevojë as për emigracion as për gjë, unë po të marr dhjetë ose dymbëdhjetë milion lekë në vit, mua aq më duhen”, shprehet një fermer.
Një tjetër tregon se si është përkeqësuar gjendja në këto 8 vite.
“Dhe sidomos nga 2013 është më e theksuar varfëria në Dumre, por edhe në të gjithë Shqipërinë, nuk duan me e ngritur fshatarin e varfër, kërkojnë me e varfëruar. Shkurtimisht, nga 2014 e këtej, të gjitha ligjet që janë miratuar për fshatarin janë bërë “anapull”, thotë greku, për mbrapsht”.
Braktisja e vendit dhe e tokës është një dukuri që e ka goditur shumë këtë zonë. Banorët denoncojnë subvenciomet selektive dhe kriteret përjashtuese.

“Dhe më e keqja është që fshatarët po lënë të gjitha tokat këtu dhe po ikin. Kanë mbjellur ullishtat, i kanë lënë pa punuar, sepse kanë ikur në emigrim. Unë kam mbjellur ullishtë dhe kam marrë subvencionim përpara 2013-ës. Unë kam mbjellur 200 rrënjë vjet dhe nuk marrë subvencionim, edhe pse nisa ti bëj dokumentet, por nuk ishte futur në listë dhe nuk ka subvencionim. Pra, ata nuk e dëshirojnë, nuk i kanë dhënë prioritet dhe as nuk e dëshiron ta kthejë kokën mbrapa zoti Rama. Është një situatë e vështirë, ju ta shikoni pak më ndryshe punën e fshatarëve, le t’i japin prioritet fshatit që të mos ikin të gjithë në kurbet”, thotë një fermer.
Gazmend Bardhi deklaron se plani i PD për bujqësinë do të nxjerrë automatikisht nga varfëria gjysmën e popullsisë:

“Duke i dhënë prioritet fshatit kemi ofruar zgjidhje për gjysmën e popullatës që jeton në fshat. Ju keni nevojë të keni në krahë shtetin…”, shprehet Drejtuesi Politik.

“Ne duam siguri, duam një kontratë që të na thotë: do e marri, që të mos ta vrasim mendjen do e marri nuk do e marri….. ne duhanin me kontratë e patëm, një kontratë 500 dokumente 38% për atë që dijë të shkruajë e të lexojë, 38% shteti, 62% është firma Mika Korça, hajde falimentoj firma Mika, po shteti falimentoj, shteti që nuk na i dha ato 38%, të na jap shteti atë 38% të heqë shpenzimet”, ngre tonet fermeri.

Gazmend Bardhi angazhohet se kjo situatë, kjo padrejtësi me 25 prill do të marrë fund.
“Atë çështje e kam marrë përsipër unë, nuk do e hajë njeri djersën tuaj, se të jeni të sigurt që i kanë ngrënë ato lekë dhe prandaj kanë bërë sikur kanë falimentuar sepse nuk kanë asnjë arsye për të falimentuar kur kanë shtetin brenda. Shteti ka qenë aksioner në atë kompani dhe duhet të mbajë përgjegjësi. E vërteta është që shtetin e falimentoi Edi Rama sepse nuk mund të kesh lekë edhe për t’i dhënë dhjetë oligarkëve dy miliardë euro, edhe për t’i dhënë lekë fshatarëve dhe fermerëve. Problemi ishte që e falimetoi shtetin sepse vuri prioritet dhjetë oligarkët, jo fshatarët dhe fermerët. Këta edhe ato pak lekë që nxjerr buxheti i shtetit për bujqësinë dhe blegtorinë i kanë përqendruar në pesë duar, pse?!… sepse vënë kritere nga më absurdet. Mbille rigonin, të thotë ty ai militaniti që është aty të zyra, në këtë hapësirë, se kështu them unë, ndërkohë që ti e di vetë sesi e mbjell dhe si e korr sepse je më i zoti se dhjetë militantë që punojnë në zyrat e shtetit, sepse jeton çdo ditë me ato, ajo është jeta jote, që kështu këto kemi për detyrë të gjithë së bashku, të bëjmë në 25 dhe, pas 25-sës, të ndryshojmë prioritet sepse nuk mund të kesh 100 prioritete. Prioritet duhet të jenë 3 milion shqiptarët dhe jo 10 oligarkët e Edi Ramës”, -deklaroi Gazment Bardhi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit