“Gërmimet izraelite kërcënojnë xhaminë Al-Aksa”

Mos i humb

Ekspertët palestinezë në prononcimin e tyre paralajmërojnë se gërmimet izraelite në Kuds paraqesin një kërcënim të pashmangshëm për kompleksin e xhamisë Al-Aksa dhe banorët e qytetit të shenjtë.

“Gërmimet e Izraelit nën kompleksin e xhamisë Al-Aksa kanë qenë në ritëm maksimal në 60 vitet e fundit. Gërmimet, megjithatë, në 15 vitet e fundit kanë shkuar nën themelet e kompleksit”, tha profesori i arkeologjisë Jamal Amro për AA.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, kur ndodhet kompleksi i xhamisë Al-Aksa gjatë Luftës Arabo-Izraelite në vitin 1967. Në një lëvizje që asnjëherë nuk u njoh nga komuniteti ndërkombëtar, Izraeli aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, duke e cilësuar atë kryeqytet “të përjetshëm dhe të pandarë” të shtetit hebre.

“Që nga viti 1967, Izraeli ka kryer më shumë se 100 gërmime nën qytetin antik gjoja për kullimin e ujërave të shiut”, thekson Amro.

Ai thotë se Izraeli aktualisht po kryen 22 gërmime në Kuds, katër prej të cilave kalojnë nën murin perëndimor Al-Buraq dhe pesë nën lagjen Silwan. Sipas Amro, thellësia e gërmimeve izraelite në këtë zonë arrin mbi 20 metra nën tokë.

Në fund të muajit qershor, zyrtarët izraelitë hapën një tunel nën lagjen Silwan në Kudsin Lindor, me pjesëmarrjen e ambasadorit amerikan në Izrael, David Friedman dhe të dërguarin e Lindjes së Mesme, Jason Greenblatt.

Al-Aksa për muslimanët përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë pas Mekës dhe Medinës. Hebrenjtë i referohen zonës si “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ai ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashtë.

– Çarje të shkaktuara nga gërmimet

Amro shpjegon se gërmimet izraelite kanë shkaktuar çarje në faltoren e grave, ndërtesën e departmentit Awqaf, në muret jugore dhe perëndimore të kompleksit Al-Aksa, si dhe në muret e shkollës Al-Ashrafieh, të vendosura brenda kompleksit të shenjtë.

Ahmad Siam, pronari i një shtëpie në Silwan, thekson se ai i dëgjon gërmimet nën shtëpinë e tij.

“Muret e shtëpisë filluan të pësojnë çarje nga brenda dhe jashtë për shkak të gërmimeve izraelite. Gërmimet zhvillohen midis 2-14 metra nëntokë, gjë që kërcënon themelet e shtëpisë sime dhe shtëpive të tjera në lagje”, thotë Siam për AA.

Sipas Siam, familjet palestineze në lagjen Wadi Hilweh duhej të mbyllnin pjesë të shtëpive të tyre për shkak të frikës nga shembja.

“Ata kanë frikë se shtëpitë e tyre mund të shemben mbi kokën e tyre”, shprehet Siam.

Në muajin mars, shirat e dendur shkaktuan çarje në tokë për shkak të gërmimeve izraelite në zonë.

Në muajin korrik të vitit 2017, Agjencia Kulturore e OKB-së (UNESCO) miratoi një rezolutë që denoncoi dështimin e Izraelit “të ndalojë gërmimet e vazhdueshme, ndërtimin e tuneleve, punimet, projektet dhe praktikat e tjera të paligjshme në Kudsin Lindor, veçanërisht rreth qytetit të vjetër të Kudsit, veprime që janë të paligjshme nën ligjin ndërkombëtar”.

“Masat legjislative dhe administrative, si dhe veprimet e marra nga Izraeli, fuqia pushtuese, që kanë ndryshuar ose synojnë të ndryshojnë karakterin e statusit të qytetit të shenjtë të Kudsit, janë të pavlefshme dhe duhet të shpëtohen menjëherë”, tha më tej rezoluta.

Nga ana e saj, Izraeli nuk pranon t’i japë qasje UNESCO-s për të ekzaminuar vendet e shenjta në Kudsin Lindor.

– Rrëfimi hebre mbi gërmimet

Hanna Issa, drejtues i Komitetit të Lartë Islam-Krishterë në Kuds, paralajmëron se Izraeli dëshiron të ndryshojë historinë e Kudsit për të qenë në përputhje me rrëfimin hebre.

“Izraeli po ndërton një qytet tjetër nën Kudsin, kështu që ata mund t’u tregojnë palestinezëve në çdo marrëveshje të ardhshme se çfarë do të ndahet mbi tokë dhe çfarë ka nën tokë është vetëm për hebrenjtë”, tha Issa për AA.

Ai paralajmëron se qeveria izraelite dëshiron të ndryshojë plotësisht të gjitha tiparet e Kudsit, si dhe të heq çdo tipar të historisë arabe dhe islamike “për t’i dhënë qytetit një identitet të ri në përputhje me rrëfimin hebraik”.

“Mjetet më të rrezikshme janë tunelet që po dëmtojnë themelet e qytetit të vjetër dhe përreth Haram al-Sharif-it (Al-Aksa)”, shprehet ai.

Kudsi mbetet qendra e mosmarrëveshjeve për dekada të gjatë në Lindjen e Mesme, me palestinezët që shpresojnë se një ditë Kudsi Lindor mund të shërbejë si kryeqytet i një shteti palestinez.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit