Nismës së Bashkisë së Tiranës për gjelbërimin e kryeqytetit i është bashkuat edhe ish-presidenti Bamir Topi. Së bashku me nënkryetarin e Bashkisë Andi Seferi, ata dhuruan 20 pemë bliri, të cilat i mbollën në rrugën e “Kokonozëve”.
Nga ana e tij ish-Presidenti Bamir Topi shprehu mirënjohjen e tij për punën që po bën Bashkia e Tiranës “Ndihem vërtet i gëzuar që jam krah mikut tim, kryetarit të Bashkisë. E falenderoj dhe e përgëzoj pa masë për këtë gjelbërim intensiv të qytetit, i cili e ka pasur në traditën e hershme, por na u desh ta rikuperojmë me shumë vullnet, por edhe me punë. Gjelbërimi është ndjesi fillimisht, e dyta është pasion, kulturë dhe një investim për gjeneratat që do të vijnë. Jetojmë në kohë interesante, disa mbjellin pemë, disa mbjellin sherre. Unë besoj se Erioni është nga ata njerëz që me ndjeshmërinë e tij do të mbjellë pemë dhe harmoni në qytetin që drejton”, tha ish-Presidenti, Topi.
Nga ana tjetër, Veliaj vlerësoi sdolidaritetin e treguar qytetarët e Tiranës, si dhe të gjitha bizneset dhe institucionet, duke dhuruar pemë për të kontribuar për një qytet më të gjelbër. Veliaj tha se ky do të jetë një standard dhe çdo vit do të mbillne nga 100 mijë pemë në Tiranë.
Ndërkohë, pjesë e kësaj nisme u bënë edhe punonjësit e Prefekturës së Tiranës, të cilët krahas kontributit që japin çdo ditë në mirëadministrimin e punëve në qytet, sidomos në kohë emergjencash, i dhuruan Tiranës 50 pemë kumbulla të kuqe. Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, vlerësoi nismën e Bashkisë për shtimin e gjelbërimit dhe theksoi se po krijohet një traditë e bukur, me energji pozitive, që po reflektohet në qytet dhe komunitet.
Aksionit të Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve iu bashkuan edhe shqiptarët e Kosovës, të cilët e shohin Tiranën si kryeqytetin e gjithë shqiptarëve. Nëpërmjet një nisme krejtësisht individuale, drejtori i Ujësjellësit të Prizrenit, Besim Baraliu dhuroi disa pemë, të cilat u mbollën në Parkun e Liqenit. Kryebashkiaku Veliaj e falenderoi në mënyrë të veçantë gjestin e Besim Baraliut, i cili ndonëse nuk jeton në Tiranë, kontribuoi për gjelbërimin e kryeqytetit.