Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel shprehu nevojën për uljen e tensioneve mes qeverisë qendrore në Irak dhe Administratës Rajonale Kurde (ARK).
Para takimit me kryeministrin e ARK-së Neçirvan Barzani, Gabriel në një konferencë për media të mbajtur në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, tha se “2017-ta ishte një vit i rëndësishëm në luftën kundër DEASH-it dhe se është arritur fitore kundër kësaj organizate terroriste”.
Gabriel tha se çlirimi i Mosulit dhe qyteteve të tjera janë shembull i mirë se lufta kundër DEASH-it është realizuar me sukses.
Ministri gjerman tha ky është suksesi i qeverisë qendrore të Irakut dhe të forcave të sigurisë së ARK-së të mbështetur nga koalicioni ndërkombëtar kundër DEASH-it. Ai tha se lufta kundër DEASH-it nuk duhet të dobësohet në pjesën e fundit të kësaj rruge.
“Duhet të ulen tensionet në mes të Bagdadit dhe Erbilit”, porositi Gabriel.
Lidhur me referendumin e ARK-së, të cilën Gjykata Federale e Irakut e shpalli antikushtetuese, Gabriel tha se për këtë Gjermania paralajmëruar edhe më parë.
“Gjatë vizitës sonë paralajmëruam se priten probleme të mëdha. Për fat të keq kjo ndodhi. Tani besoj se duhet t’i riktheheni dialogut”, tha ai.
Ai vuri në dukje se pas vitit 2014 Gjermania ka dhënë më shumë se 1 miliard euro mbështetje për ndihma humanitare dhe për rindërtimin e Irakut.
Shefi i diplomacisë gjermane, Gabriel tha se dëshirojnë ta vazhdojnë këtë mbështetje, por që parakushti për këtë është zgjidhja e problemeve të brendshme nëpërmjet rrugëve paqësore me qëllim që Iraku të dalë nga situata e tensionuar.
Në vazhdim ai potencoi se e mbështesin integritetin e Irakut.
Ndërkohë, kryemimnistri i ARK-së Barzani falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e dhënë për ARK-në në ofrimin e trajnimit të Peshmergëve dhe ndihmave me armë në luftën kundër DEASH-it. Barzani kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ai shtoi se nuk kanë ndonjë problem me kushtetutën e Irakut dhe se e respektojnë vendimin e Gykatës Federale Kushtetuese. “Kemi ardhur këtu që të theksojmë se dëshirojmë t’i zgjidhim me dialog mosmarrëveshjet me Bagdadin”, tha Barzani.
Sipas tij, zgjidhja e problemeve mund të bëhet me dialog dhe me vullnet politik, ndërsa të dyja palët duhet të tregojnë vullnet për këtë.
Gjithashtu, Barzani kërkoi nga Gjermania që të luaj rol në afrimin mes dy palëve./Rtv islam/


