Gjermania paralajmëron për përshkallëzimin e retorikës mbi Iranin

Mos i humb

Gjermania sot ka paralajmëruar kundër përshkallëzimit të retorikës rreth Iranit, pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi Teheranin zyrtar me “fundin e tij” në rast të një konflikti me SHBA-të.

“Ne jemi kundër përshkallëzimit të retorikës”, tha Rainer Breul, ndihmës-zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, gjatë një konference për media në Berlin, duke shtuar se përshkallëzimi verbal dhe kërcënimet e ndërsjella mund të çojnë në tensione më të mëdha në rajon.

Ai gjithashtu dënoi sulmin me raketa të së dielës në kryeqytetin irakian, Bagdad, në afërsi të ambasadës amerikane.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shfaqin vetëpërmbajtje më të madhe dhe të mos nxisin më tej situatën”, theksoi ai.

Të dielën, Trump tha se Irani nuk duhet të kërcënojë SHBA-të, duke u shprehur se ajo do të ishte “fundi zyrtar” i Teheranit.

“Nëse Irani dëshiron të luftojë, ky do të jetë fundi zyrtar i Iranit. Asnjëherë më mos e kërcënoni SHBA-në!”, shkroi Trump në rrjetet sociale. Ai nuk shpjegoi natyrën e kërcënimit.

Tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit janë përshkallëzuar në javët e fundit pasi SHBA dërgoi një grup me luftanije sulmuese si dhe Task Forcë Bombarduese në Lindjen e Mesme, duke cituar një kërcënim të menjëhershëm nga Irani.

Javën e kaluar, “The New York Times” citoi disa burime të inteligjencës që thonin se Irani së fundmi ka vendosur anije ushtarake të armatosura me raketa-hedhës në Gjirin Persin, duke rritur frikën e konfliktit të mundshëm.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit