Gjermania riafirmon mbështetjen e NATO-s për Ukrainën

Mos i humb

Gjermania ka riafirmuar mbështetjen e fortë të NATO-s për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës pas pranisë ushtarake të shtuar të Rusisë përgjatë kufirit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas u tha sot gazetarëve përpara takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga, Letoni, se aktivitetet ushtarake të Rusisë janë shkak për shqetësimin më të madh për aleatët.

“Ne do të shikojmë sërish me kujdes sot situatën dhe së bashku do t’i dërgojmë mesazhin e qartë qeverisë ruse”, tha ai.

“Mbështetja e NATO-s për Ukrainën është e pashuar, pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti i saj nuk janë për negociata. Rusia do të duhet të paguajë një çmim të lartë për çdo formë agresioni”, shtoi ai.

Maas i kërkoi Moskës të përmbahet nga çdo veprim që mund të rrisë tensionet në rajon dhe bëri thirrje për bisedime për të ulur tensionet dhe për të diskutuar hapat e deeskalimit.

Disa media raportuan më herët se administrata amerikane paralajmëroi zyrtarisht aleatët e saj në NATO se Rusia mund të planifikojë pushtim tjetër të Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i mohoi këto akuza javën e kaluar duke thënë se “Rusia nuk do të sulmojë askënd, nuk ka plane agresive”.

Zyrtarët e NATO-s thonë se aktivitetet ushtarake ruse në Krime, e cila u aneksua ilegalisht në vitin 2014, dhe rreth kufirit ukrainas ngrenë pikëpyetje serioze.

Ukraina akuzon Rusinë se po përpiqet të destabilizojë vendin në shumë mënyra që nga viti 2014 dhe se u ofron mbështetje ushtarake forcave separatiste në rajonet e saj lindore.​​​​​​​

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit