Gjonaj kërkesë Kuvendit për ndryshimin e nenit 149 të Kodit Zgjedhor: Pengohet procesi për ngritjen e Gjykatës së Lartë

Mos i humb

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj i ka dërguar Kuvendit një kërkesë për fillimin e një iniciative ligjore që të rregullojë nenin 149 të Kodit Zgjedhor pasi në mendimin e Ministrisë së Drejtësisë, pasi parashikimet e nenit 149 paragrafi “a” dhe “b” bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe praktikën e Gjykatës Kushtetuese.

Përpos argumenteve mbi antikushtetutshmërinë e tyre, këto dispozita paraqesin një pengesë të qënësishme në drejtim të realizimit të një prej objektivave madhore të Reformës në Drejtësi, si dhe objektiv ekzigjent, lidhur me plotësimin e Gjykatës së Lartë por edhe si një prioritet në perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor të dispozitave që lidhen me Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor, pengojnë vijimin në një kohë sa më të shpejtë të procedurave për plotësimin e vakancave dhe emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë”, thuhet në deklaratë.

Pra ndonëse ligjvënësi u ofron garanci anëtarëve të Kolegjit  Zgjedhor duke ju ofruar paprekshmëri dhe imunitet , ministrja e Drejtësisë kërkon që ata të trajtohen si çdo gjyqtar tjetër. Kjo argumentohet si më poshtë: 

Parashikimi i shkronjës “a” i paragrafit 1 të nenit 149 të Kodit Zgjedhor (të ndryshuar) bie në kundërshtim me parimin kushtetues të barazisë. Garantimi i imunitetit të gjyqtarëve anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nga procedimi disiplinor për periudhën që ato shërbejnë si anëtarë të këtij Kolegji, i vendos këta gjyqtarë në një pozitë të privilegjuar në raport me gjyqtarët e tjerë të sistemit gjyqësor. Sidoqoftë, instrumentat që duhet të garantojnë këtë lloj mbrojtje duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe nuk mund të bien ndesh me frymën e ndryshimeve kushtetuese të ndërmarra në kuadër të reformës në drejtësi për të krijuar një sistem gjyqësor të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm dhe llogaridhënës.
Nisur nga nevoja e garantimit të një mbrojtje të posaçme për gjyqtarët e këtij Kolegji, për të garantuar një vendimarrje e pavarur dhe e paanshme, mund të parashikohet përjashtimisht, një kufizim proporcional dhe i përkohshëm i së drejtës për të hetuar ose për të filluar procedimin disiplinor të këtyre gjyqtarëve për shkaqe që lidhen vetëm me ushtrimin e funksionit si anëtar të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Nëpërmjet këtij parashikimi, nga njëra anë arrihet qëllimi i ligjvënësit, për të krijuar mbrojtjen e nevojshme të këtyre gjyqtarëve për vendimarrje të pavarur gjatë ushtrimit të funksionit në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor dhe nga ana tjetër, garantohet zbatimi i dispozitave kushtetuese për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve.

Konkretisht, neni 140 i Kushtetutës ka përcaktuar se gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Po ashtu, ky nen ka përcaktuar që gjyqtari shkarkohet nga detyra kur kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.
Nisur nga parashikimi i nenit 147/a pika “b” të Kushtetutës është përcaktuar se është kompetencë e Këshillit të Lartë Gjyqësor të vendosë për të gjitha masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Sipas përmbajtjes së nenit 149, pika 1, shkronja “a” të Kodit Zgjedhor, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në kundërshtim me sa parashikon Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, nuk mund të vendosë për masat disiplinore ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Ngjashmërisht, ky lloj parashikimi i Kodit Zgjedhor cënon edhe kompetencën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë parashikuar në nenin 147/d të Kushtetutës, për të hetuar dhe filluar procedimin disiplinor ndaj të gjithë gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Sidoqoftë, duhet vënë në dukje që një parashikim të njëjtë kishte edhe paragrafi i parë i nenit 149 të Kodit Zgjedhor, përpara ndryshimit nga ligji 101/2020.

Njoftimi i plotë

Sipas nenit 149, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar së fundmi me ligjin nr. 101/2020, parashikohet se gjyqtari i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nuk mund t’i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor si dhe të lëvizet nga detyra në mënyrë të përkohshme apo të përhershme për tre arsye që lidhen me:

A) shkaqe disiplinore;
B) organizimi gjyqësor, apo
C) ngritje në detyrë.

Këto shkaqe janë vendosur nga ligjvënësi në funksion të garantimit të mbrojtjes së posaçme që duhet të kenë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Megjithatë, këto parashikime nuk mund të vijnë në kundërshtim me parashikimet kushtetuese dhe nuk duhet të cënojnë garancitë për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur por edhe llogaridhënës, të vendosura përmes ndryshimeve kushtetuese të realizuara në kuadër të reformës në drejtësi.
Në këto kushte, Ministri i Drejtësisë, në cilësinë e institucionit përgjegjës që harton dhe ndjek zbatimin e politikave në fushën e drejtësisë, po parashtron argumentet mbi nevojën e ndryshimeve të kësaj dispozite, si dhe argumentat në kundërshtim me Kushtetutën të këtyre parashikimeve si dhe ndikimet që ato kanë në zbatimin e objektivave të reformës në drejtësi dhe veçanërisht në ngritjen sa më parë të Gjykatës së Lartë.
1. Mbi hetimin apo/dhe procedimin disiplinor të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor

Ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor kanë parashikuar që gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk mund t’i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor gjatë gjithë periudhës për të cilën është krijuar Kolegji. Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor delegohen në këtë detyrë për një mandat 4 vjeçar.

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor ndalohet hetimi apo procedimi disiplinor i gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, pavarësisht faktit që gjyqtarët mund të kenë kryer shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, për të cilat neni 140 i Kushtetutës parashikon marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra. Në këtë situatë, neni 149, pika 1, shkronja “a” e Kodit Zgjedhor, duke parashikuar ndalimin tërësor të hetimit apo procedimit disiplinor të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor për sa kohë ata ushtrojnë funksionin e anëtarit të këtij Kolegji, është një dispozitë që bie ndesh me nenin 140, nenin 147/a pikën “b” dhe nenin 147/d të Kushtetutës, duke i përjashtuar, pa një shkak të përligjur, gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor nga përgjegjësia disiplinore.

Konkretisht, neni 140 i Kushtetutës ka përcaktuar se gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Po ashtu, ky nen ka përcaktuar që gjyqtari shkarkohet nga detyra kur kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.
Nisur nga parashikimi i nenit 147/a pika “b” të Kushtetutës është përcaktuar se është kompetencë e Këshillit të Lartë Gjyqësor të vendosë për të gjitha masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Sipas përmbajtjes së nenit 149, pika 1, shkronja “a” të Kodit Zgjedhor, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në kundërshtim me sa parashikon Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, nuk mund të vendosë për masat disiplinore ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Ngjashmërisht, ky lloj parashikimi i Kodit Zgjedhor cënon edhe kompetencën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë parashikuar në nenin 147/d të Kushtetutës, për të hetuar dhe filluar procedimin disiplinor ndaj të gjithë gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Sidoqoftë, duhet vënë në dukje që një parashikim të njëjtë kishte edhe paragrafi i parë i nenit 149 të Kodit Zgjedhor, përpara ndryshimit nga ligji 101/2020.

Megjithatë, sillet në vemendje që ky lloj parashikimi ishte miratuar përpara ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 dhe ishte miratuar në kohën kur sipas nenit 34 të ligjit nr.9877, datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar), të drejtën për nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë e kishte Ministri i Drejtësisë. Në këtë kuptim, ky lloj parashikimi kishte si qëllim të mbronte anëtarët e Kolegjit Zgjedhor nga fillimi i procedimit disiplinor nga Ministri i Drejtësisë, i cili përfaqësonte një nga forcat politike që mund të ishin pjesëmarrëse në zgjedhje dhe rrjedhimisht, mund të paraqisnin kërkesa përpara Kolegjit Zgjedhor. Me ndryshimet kushtetuese të ndërmarra në kuadër të reformës në drejtësi, siç u arsyetua më sipër, fillimi i procedimit disiplinor dhe vendimi për masën disiplinore janë vendimmarrje të Institucioneve të reja të drejtësisë.

Gjithashtu, parashikimi i shkronjës “a” i paragrafit 1 të nenit 149 të Kodit Zgjedhor (të ndryshuar) bie në kundërshtim me parimin kushtetues të barazisë. Garantimi i imunitetit të gjyqtarëve anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nga procedimi disiplinor për periudhën që ato shërbejnë si anëtarë të këtij Kolegji, i vendos këta gjyqtarë në një pozitë të privilegjuar në raport me gjyqtarët e tjerë të sistemit gjyqësor. Sidoqoftë, instrumentat që duhet të garantojnë këtë lloj mbrojtje duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe nuk mund të bien ndesh me frymën e ndryshimeve kushtetuese të ndërmarra në kuadër të reformës në drejtësi për të krijuar një sistem gjyqësor të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm dhe llogaridhënës.
Nisur nga nevoja e garantimit të një mbrojtje të posaçme për gjyqtarët e këtij Kolegji, për të garantuar një vendimarrje e pavarur dhe e paanshme, mund të parashikohet përjashtimisht, një kufizim proporcional dhe i përkohshëm i së drejtës për të hetuar ose për të filluar procedimin disiplinor të këtyre gjyqtarëve për shkaqe që lidhen vetëm me ushtrimin e funksionit si anëtar të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Nëpërmjet këtij parashikimi, nga njëra anë arrihet qëllimi i ligjvënësit, për të krijuar mbrojtjen e nevojshme të këtyre gjyqtarëve për vendimarrje të pavarur gjatë ushtrimit të funksionit në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor dhe nga ana tjetër, garantohet zbatimi i dispozitave kushtetuese për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve.

Në të njëjtat argumenta shprehim edhe sugjerimin për shfuqizimin e parashikimit të nenit 149/1 shkronja “c” për vlerësimin profesional të gjyqtarëve anëtarë të kolegjit zgjedhor gjyqësor.

Për arsyet e sipërpërmëndura, propozojmë që neni 149, pika 1, shkronja “a” e Kodit Zgjedhor të riformulohet e si vijon:

1. Gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk mund:
a) t’i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor gjatë periudhës për të cilën është krijuar Kolegji për shkaqe që lidhen me ushtrimin e funksionit të anëtarit të këtij Kolegji.
2. Mbi kufizimin e ngritjes në detyrë të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor

Sipas përcaktimit të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 149 të Kodit Zgjedhor, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nuk mund të ngrihen në detyrë. Ky lloj parashikimi, gjithashtu, është vendosur si një lloj mbrojtje e posaçme për anëtarët e këtij Kolegji. Në vlerësimin e Ministrit të Drejtësisë ky parashikim jo vetëm që nuk mbron anëtarët e këtij Kolegji, por është në kundërshtim me garancitë kushtetuese për ushtrimin e funksionit të gjyqtarit si dhe ngre probleme serioze në zbatimin e reformës në drejtësi, dhe ashtu siç është theksuar më sipër, veçanërisht në ngritjen sa më parë të Gjykatës së Lartë.

Për këtë arsye, vlerësojmë se parashikimi ligjor që gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk mund të lëvizet nga detyra në mënyrë të përkohshme apo të përhershmepërmes ngritjes në detyrë, gjendet në papajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë duke cenuar rëndë të drejtat dhe garancitë kushtetuese dhe ligjore të gjyqtarit si dhe aktet ndërkombëtare.

Përmbajtja e shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 149 të Kodit Zgjedhor, cënon gjithashtu statusin e gjyqtarëve duke penguar të drejtën e tyre për ngritje profesionale dhe për zhvillimin normal të karrierës profesionale të tyre. Nevoja e sanksionimit të këtij parashikimi ligjor nuk qartëson arsyet e ligjvënësit mbi vendosjen e këtij kufizimi të kësaj të drejte, dhe mbi të gjitha sanksionimin e tij në cilësimin e mbrojtjes së posaçme të gjyqtarit. Ky parashikim nuk garanton mbrojtje të posaçme si dhe cenon garancitë kushtetuese dhe ligjore të statusit të gjyqtarit, të cilat duhet t’i gëzojë për shkak të funksionit kushtetues që ushtron.

Siç është bërë me dije publikisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor është duke përmbyllur procedurat për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, nëpërmjet ngritjes në detyrë të gjyqtarëve që plotësojnë kushtet për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë. Një pjesë e kandidatëve që kanë paraqitur kërkesën për t’u ngritur në detyrë në këtë gjykatë janë zgjedhur, nëpërmjet shortit, si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Në këtë mënyrë, pavarësisht vullnetit të tyre, për shkak të parashikimit të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 149 të Kodit Zgjedhor, këtyre gjyqtarëve i ndalohet vijimi i procedurave për ngritjen në detyrë. Nga ana tjetër, për Këshillin e Lartë Gjyqësor krijohen vështirësi për përzgjedhjen e kandidatëve në Gjykatën e Lartë për shkak të uljes së numrit të kandidatëve që mund të aplikojnë për ngritjen në detyrë. Vonesat dhe vështirësitë në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë, kanë pasoja të drejtpërdrejta dhe në plotësimin e atyre vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese të cilët emërohen nga Gjykata e Lartë, në përputhje me nenin 125 pika 1 të Kushtetutës.

Në këto kushte, parashikimet e shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 149 të Kodit Zgjedhor paraqesin një pengesë serioze në mirëfunksionimin e këtyre dy institucioneve kushtetuese si dhe në avancimin e objektivave të reformës në drejtësi.

Për këto arsye, sugjerojmë se parashikimi në këtë dispozitë që ndalon ngritjen në detyrë të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, duhet të shfuqizohet.

3. Mbi lëvizjen nga detyra për shkaqe të organizimit gjyqësor

Neni 149 paragrafi 1 “b” i Kodit Zgjedhor ka konsideruar si një mbrojtje të posaçme për gjyqtarët e Kolegjit edhe pamundësinë për t’u lëvizur nga detyra për shkaqe që lidhen me organizimin gjyqësor.

Neni 13 i ligjit për 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” ka parashikuar që Këshilli i Lartë Gjyqësor bën vlerësimin e organizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave të paktën çdo pesë vjet. Po kështu, në rast se nga vlerësimi rezulton se harta gjyqësore në fuqi nuk i përmbush objektivat, parimet dhe kriteret e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministri i Drejtësisë hartojnë një propozim të përbashkët për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministri i Drejtësisë kanë ngritur një grup pune të përbashkët i cili po përfundon procesin e studimit dhe hartimit të hartës së re gjyqësore për Republikën e Shqipërisë në bashkëpunim dhe me misionet e asistencës teknike në fushën e drejtësisë. Sipas planit të punës së përbashkët, do të duhet që brenda këtij viti të miratohet harta e re gjyqësore në Republikën e Shqipërisë, e cila njëkohësisht do të zgjidhë edhe shumë probleme të krijuara me funksionimin e gjykatave për shkak të shkarkimit nga detyra ose dorëheqjes së një numri të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar.

Parashikimi i mësipërm i Kodit Zgjedhor krijon vështirësi madhore në riorganizimin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë dhe hartimin e hartës së re gjyqësore, për shkak të kufizimit që ka vendosur në lëvizjen nga detyra të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Për më tej, ky lloj kufizimi pamundëson që nëpërmjet miratimit të hartës së re gjyqësore në Republikën e Shqipërisë të zgjidhen problematikat që po hasen në administrimin e sistemit gjyqësor si dhe në garantimin e aksesit të qytetarëve në gjykata. Avancimi i objektivave të reformës në drejtësi kushtëzohet drejtpërdrejtë nga ringritja e një sistemi gjyqësor efektiv dhe në mbrojtje të të drejtave kushtetuese të qytetarëve.

Në përmbyllje, për sa më sipër arsyetuam, shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të nenit 149 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar së fundmi me ligjin nr. 101/2020, bien në kundërshtim me parashikimet kushtetuese, jurisprudencën kushtetuese përkatëse, por dhe me frymën e legjislacionit të miratuar në kuadër të reformës në drejtësi
Ministria e Drejtësisë është shpresëplotë se propozimi i konsultuar në parim edhe me misionet e asistencës teknike, do të merret në konsideratë, në funksion të garantimit të efektivitetit të zbatimit të reformës në drejtësi dhe plotësimit të kërkesave të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit