Një gjykatë palestineze ka hedhur poshtë kërkesën e avokatit për lirimin me kusht për 16-vjeçaren palestineze, Ahed al-Tamimi, e cila u arrestua javën e kaluar nga autoritetet izraelite.
“Gjykata ushtarake izraelite Ofer, që është e vendosur në afërsi të qytetit Ramallah të Bregut Perëndimor, ditën e djeshme ka hedhur poshtë kërkesën e avokatit të adoleshentes palestineze për lirimin e saj me kusht”, tha Bassem al-Tamimi për AA, babai i vajzës 16-vjeçare.
Sipas Bassem, Ahed, nëna e saj Nariman dhe të gjithë kushërinjtë e afërt, gjatë ditës së sotme parashikohet të paraqiten në gjykatë, ku do të përballen me akuzat për pjesëmarrje në atë që autoritetet izraelite e kanë përshkruar si “trazira të dhunshme” duke iu kundërshtuar forcave izraelite të sigurisë.
Të martën e kaluar, forcat izraelite arrestuan Ahedin në një bastisje gjatë natës në fshatin Nabi Saleh të Bregut Perëdimor. Nëna e saj u arrestua menjëherë pas saj.
Rasti nuk ishte hera e parë që Ahedi është ballafaquar me autoritetet izraelite. Në vitin 2012, Bashkia Başakşehir e Stambollit i ndau asaj çmimin për kurajo Hanzala për kundërshtimin e ushtarëve izraelitë teksa këta po arrestonin vëllain e saj.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, në atë kohë kryeministër, u takua personalisht me vajzën palestineze për të shprehur admirimin e tij për trimërinë e saj.
Babai, nëna dhe vëllezërit e Ahedit vazhdimisht janë arrestuar nga autorietet izraelite për kundërshtimin e tyre të ashpër ndaj okupimit të tokave palestineze nga Izraeli.
Më 6 dhjetor, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, e njohu Kudsin si kryeqytet të Izraelit, njohje e cila u dënua nga gjithë bota arabe dhe muslimane dhe e cila shkaktoi protesta nëpër territoret palestineze.
Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që atëherë, 15 palestinezë janë martirizuar dhe mijëra të tjerë janë plagosur në përleshjet me forcat izraelite të sigurisë në Bregun Perëndimor, Kudsin Lindor dhe Rripin e Gazës./Rtv islam/