Gjykata izraelite urdhëron kolonët hebrenj që të evakuojnë shtëpinë

Mos i humb

Një gjykatë në Izrael urdhëroi kolonët hebrenj të evakuonin një shtëpi në El Halil (Hebron) ku ata kishin jetuar që nga viti 2005, pasi një kompani izraelite nuk e kishte blerë në mënyrë ligjore shtëpinë nga pronarët e saj fillestarë palestinezë.

Sipas njoftimeve të mediave lokale, Gjykata e Qarkut në Kuds vendosi që kompania kishte përdorur mjete të paligjshme për të blerë shtëpinë, e cila i përkiste familjes Bakri.

Gjykata urdhëroi që kolonët të largoheshin brenda 45 ditësh, duke shtuar se familja palestineze mund të kthehej në pronën e tyre.

Familja Bakri u largua nga shtëpia e tyre gjatë Intifadës së Dytë në vitin 2001 dhe kishte planifikuar të kthehej pasi të rregulloheshin gjërat. Por në vitin 2005, tre familje me kolonë izraelitë u vendosën në shtëpinë e tyre.

Familja Bakri u ankua në Gjykatën në Kuds, e cila urdhëroi kolonët të largoheshin, por shteti nuk e zbatoi kurrë evakuimin. Kompania më pas njoftoi gjykatën se kolonët qëndronin atje në emër të saj dhe pretendoi se kishte blerë shtëpinë.

Familja Bakri e mohoi këtë dhe vazhdoi procesin juridik.

Në shtator të vitit 2000, vizita e politikanit kontravers izraelit Ariel Sharon në Al Aksa shkaktoi atë që më vonë u bë e njohur si Intifada e Dytë, një kryengritje popullore kundër pushtimit izraelit në të cilin mijëra palestinezë u vranë.

Për dallim nga Intifada e Parë, e cila zgjati nga viti 1987 deri në vitin 1993, Intifada e Dytë u shënua me përleshje të shpeshta dhe përshkallëzime ushtarake midis grupeve palestineze të rezistencës dhe ushtrisë izraelite.

Sipas të dhënave zyrtare palestineze dhe izraelite, 4.412 palestinezë u vranë dhe 48.322 të tjerë u plagosën gjatë Intifadës së Dytë, përderisa 1.069 izraelitë u vranë dhe 4.500 u plagosën.

Gjatë Intifadës së Dytë, e cila zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2005, Bregu Perëndimor i okupuar dhe Rripi i Gazës iu nënshtruan invazioneve ushtarake izraelite, gjatë të cilave u shkatërruan mijëra shtëpi dhe mijëra hektarë tokë bujqësore.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit