Gledis Nano “ngre në këmbë” policinë rrugore, kap “mat” shoferët e pabindur

Mos i humb

Pas aksidenti të rëndë që ndodhi ditën e djeshme (8 maj) në rrugën e Kavajës, ku një mjet “Merdesez G Class” përplasi te vijat e bardha një çift me foshnjen e tyre 3-muajshe, policia rrugore ka intensifikuar kontrollet në rrugë.

Pas urdhrit të mbrëmshëm nga Drejtori i Policisë së shtetit, Gledis Nano shërbimet e Policisë Rrugore, të mbështetura nga Patrullat e Përgjithshme dhe forcat “Shqiponja”, kanë vijuar kontrollet për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, në të gjithë vendin janë pezulluar 79 leje drejtimi, nga të cilat 39 për shpejtësi (të matura me radarët automatikë), 29 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 11 për qarkullim në sens të kundërt.

Policia ka arrestuar në flagrancë 16 drejtues mjetesh, nga të cilët 10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm janë vendosur 2874 masa administrative, për shkelje që janë burim potencial për përfshirje në aksidente rrugore, konkretisht për mosvendosje të rripit të sigurimit, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për parakalime të gabuara, për mosdhënie përparësie këmbësorëve, për gara shpejtësie e manovra të rrezikshme, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit e shpejtësi tej normave të lejuara dhe për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.

Policia paralajmëron se kontrollet intensive me mjete logjistike bashkëkohore, do të vijojnë jo me aksione, por si punë e përditshme, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Ditën e djeshme Ajas Sulejmani përplasi në afërsi të kompleksit Deliorgji te Rruga e Kavajës çiftin Vilma dhe Arjan Konomi teksa kalonin në vijat e bardha me foshnjen e tyre 3-muajshe.

Sulejmani po ecte me shpejtësi dhe tentoi të kalonte kur drita e kuqe e semaforit ishte e ndezur për makinat.

Sipas njoftimit të uniformave blu, 39-vjeçari Ajas Sulejmani nuk është një emër i panjohur, jo vetëm për shkakun se kërkohej nga Britania ku akuzohet për trafik droge, por ai është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit