Grupi i Vishegradit thirrje BE-së për hapjen e bisedimeve me RMV-në dhe Shqipërinë

Mos i humb

Kryeministrat e shteteve të Grupit të Vishegradit në takimin e sotëm në Pragë me kryetarët e qeverive nga vendet e Ballkanit Perëndimor ku mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev miratuan deklaratën e Grupit të Vishegradit me të cilën i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian të hapë bisedimet për aderim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Siç njoftoi Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në deklaratë liderët nga Grupi i Vishegradit e konfirmuan mbështetjen e tyre të sigurtë për aderimin e shteteve nga Ballkani Perëndimor në BE dhe bindjen se bashkimi i Evropës nuk do të jetë i plotë pa aderimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

“Në tekstin e deklaratës theksohet se politika e zgjerimit të BE-së është mjet i rëndësishëm me vlerë të paçmueshme për arritjen e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, nga këtu ekzistenca e një politike kredibile për zgjerim paraqet investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e BE-së”, thuhet në njoftim.

“Në këtë dokument të Grupit të Vishegradit, theksohet se aderimi është dhe do të mbetet proces i bazuar në merita dhe që i gjithi varet nga përparimi objektiv i arritur dhe u bëhet thirrje të gjitha palëve të interesuara në BE, në lidhje me Këshillin për punë të përgjithshme që do të mbahet në tetor, të ruajnë impulsin pozitiv dhe energjinë e cila doli nga përparimi i reformave dhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes historike të Prespës, me anë të hapjes së bisedimeve për aderim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”, qëndron në njoftim.

Deklarata e Grupit të Vishegradit thekson se fillimi i bisedimeve në tetor të vitit 2019 jo vetëm që do t’u mundësojë që të dyja shteteve të fokusohen edhe më shumë në reformat e duhura, por do të shërbejë edhe si nxitje e rëndësishme për tërë rajonin dhe garanci se BE-ja do të vazhdojë të ketë rol udhëheqës në transformimin pozitiv të rajonit.

“Kryeministrat e vendeve anëtare të Grupit të Vishegradit, në deklaratë shprehin pritshmërinë në përputhshmëri me Strategjinë e Komisionit Evropian të Ballkanit Perëndimor nga shkurti i vitit 2018, se bisedimet aderuese me Serbinë dhe Malin e Zi do të përshpejtohen gjatë mandatit të ardhshëm të Komisionit në përputhje me avancimin e arritur nga të dyja shtetet, si dhe se proceset reformuese në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë në periudhën e mëtutjeshme do t’i përforcojnë mundësitë për anëtarësimin e rajonit në BE”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratën nga Praga përsëritet mbështetja për shtetet partnere të Ballkanit Perëndimor për gatishmërinë e tyre për ruajtjen e stabilitetit në rajon, përforcimin e sundimit të së drejtës, luftës kundër krimit dhe korrupsionit të organizuar, përforcimin e rezistencës ndaj kërcënimeve hibride, parandalimin e radikalizmit dhe kontrollin e migracionit.

Vendet anëtare të Vishegradit në Deklaratë theksojnë se e kanë parasysh rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor në përforcimin e diversifikimit të burimeve energjetike të BE-së përmes korridorit Jugor dhe shprehën gatishmërinë e tyre për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve të Grupit të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor.

Në fund të Deklaratës të Grupit të Vishegradit potencohet gatishmëria e shteteve nga Grupi i Vishegradit për mbështetje të mëtutjeshme për bashkëpunim më të gjerë rajonal, marrëdhënie të mira fqinjësore, pajtim në Ballkanin Perëndimor, ndër të tjerash edhe nëpërmjet granteve të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit, programeve për bursa ose ndihmë për Fondin e Ballkanit Perëndimor.

Kujtojmë se vendet anëtare të Grupit të Vishegradit janë katër shtetet e Evropës Qendrore, Hungaria, Polonia, Sllovakia dhe Çekia.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit