
Presidenti i vetëshpallur i Venezuelës, Juan Guaido , u bëri thirrje qytetarëve që çdoherë kur do të ketë ndërprerje të furnizimit të rrymës elektrike dhe të ujit, ata të dalin në rrugë.
Informacioni është publikuar nga portali informativ El Nacional, i cili citon Guaidon të ketë thënë se “patjetër të dalim në rrugë dhe të protestojmë çdo herë kur do të na shkurtohet e drejta kolektive, sepse kështu do të bëjmë të qartë se kush është fajtori”, tha kreu i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, para përkrahësve të tij të tubuar në Los Teques, një qytet rreth 23 kilometra nga kryeqyteti Caracas.
Portali opozitar El Nacional, pohon se anembanë vendit janë mbajtur mbi 100 protesta.
Duke akuzuar presidentin Nicolas Maduro për ndërprerjen e energjisë elektrike e cila po përsëritet, Guaido tha se ai përpiqet të trembë venezuelasit duke i lënë në errësirë.
“Ne duhet t’i tregojmë se nuk frikohemi”, i tha Guaido turmës.
Venezuela, e cila po përjeton krizën më serioze politike në historinë e saj, gjithashtu po lufton edhe me ndërprerjet e energjisë.
Në vend energjia është ndërprerë për herë të parë më 7 mars dhe zgjati rreth një javë, ndërsa për herë të dytë filloi më 25 mars dhe nuk u riparua plotësisht.
Pas ndërprerjes së dytë, të premten Venezuela përjetoi edhe ndërprerjen e tretë të energjisë elektrike.


