
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se pas ftesës nga Gjykata Speciale që i është bërë kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, nuk përjashtohet mundësia që ftesë të marrin edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se mund të priten befasi të ndryshme tani e tutje.
“Unë nuk guxoj të them që pritet ftesa, por tash mund të ndodhë çdo gjë, ka befasi, nuk mund të them po ose jo”, tha ai.
Gucati tha se çdo minutë, çdo ditë priten ftesa nga Gjykata Speciale. E, numri i atyre që deri më tani janë thirrur nga kjo Gjykatë ka shkuar mbi 80.
Gucati ka thënë se në mesin e të intervistuarve nga kjo Gjykatë ka edhe deputetët të cilët vetë e kanë votuar krijimin e kësaj Gjykate.
“Prej Gjykatës Speciale pritet gjithçka. Kjo është një Gjykatë e pabesë po e them me sinqeritetin më të madh. Kjo mund ta thirr edhe ndonjë fëmijë që në atë kohë i ka pasë 8 ose 9 vjet. Çdo minutë , çdo ditë presim ftesa prej Gjykatës Speciale, do të jetë numër bukur i madh i të ftuarave, deri më tani kanë shkuar mbi 80. Kemi deputetët të Parlamentit të Kosovës që kanë dhënë intervistë këtu në Dhomat e Specializuara në Kosovës e që s’kanë dashur që emrat t’u bëhen publik. Unë ju kisha bë apel shokëve që s’kemi nevojë të fshehim emra, duhet me qenë krenarë pse kemi qenë pjesë e UCK-së dhe Komandat, duhet të jenë krenarë”, tha ai.


