Guterres bën thirrje për bisedime për përfundim të luftës në Siri

Mos i humb

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka përshëndetur zvogëlimin e luftimeve në Sirinë verilindore dhe u bëri thirrje shteteve të përfshira që “të fillojnë diskutime serioze për përfundimin e luftës” 8-vjeçare.

Duke u përgjigur në pyetjen e Anadolu Agency (AA), Guterres vuri në dukje zvogëlimin e konflikteve në rajon pas marrëveshjes së arritur këtë javë mes Turqisë dhe Rusisë.

“Qëllimet tona kryesore ishin shumë të thjeshta: Të mos ketë përshkallëzim të konflikteve dhe jam i lumtur që nuk kemi informatë se zhvillohet ndonjë konflikt për momentin në Sirinë verilindore”, tha Guterres në selinë e OKB-së në New York.

Guterres tha se është koha për të krijuar një rrugë politike që shteti të përparojë pas luftimeve që zgjatën më shumë se 8 vjet. Ai tha se kjo mund të bëhet me mbledhjen e Kommitetit Kushtetues të Sirisë, i cili duhet të takohet për herë të parë javën e ardhshme në Gjenevë.

“Për mua është e qartë se ajo që ndodhi në Sirinë veriore tregon se është koha që të fillohet të diskutohet seriozisht për përfundim të luftës, dhe nëse ndodh kjo, procesi politik është bërë më i rëndësishëm se kurrë më parë”, tha Guterres.

“Angazhimi ynë i plotë tani është të sigurohemi që Komiteti Kushtetues të fillojë punën e tij në Gjenevë, si hap i parë për një zgjidhje politike që shpresojmë se do të çojë në fund këtë kapitull tragjik të jetës së popullit sirian”, shtoi ai.

Guterres gjithashtu foli edhe për frikën e arratisjes së anëtarëve të grupit terrorist DEASH nga burgjet e kontrolluara nga YPG në Sirinë verilindore gjatë operacionit ushtarak të nisur në rajon në fillim të këtij muaji nga Turqia.

“Kishte një numër të kufizuar luftëtarësh që arritën të iknin dhe ne kemi kërkuar nga të gjitha palët e përfshira të sigurohemi që të bëhet gjithçka për të mos ndodhin më shumë ikje, dhe ne besojmë se komuniteti ndërkombëtar duhet të gjejë një zgjidhje që në mënyrë më efektive të merren në përgjegjësi ata që kanë kryer krime”, tha Guterres.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët nga veriu i Sirisë në lindje të lumit Eufrat me qëllim për të siguruar kufijtë e Turqisë, për të ndihmuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe për të garantuar integritetin territorial të Sirisë. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.

Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas së cilës terroristët e YPG/PKK-së brenda 150 orëve do të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me veriun e Sirisë dhe forcat e sigurisë turke dhe ruse do të kryejnë patrullime të përbashkëta atje.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit