
Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, në Beograd ka deklaruar se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor për përparimin e gjithë Ballkanit Perëndimor.
“Dialogu dhe rezultati i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës është një element kyç për përparimin e mëtejshëm të të gjithë rajonit drejt Bashkimit Evropian dhe është e nevojshme të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për këtë çështje, në mënyrë që të bëhen përparime në rajon”, tha Hahn në një konferencë të përbashkët për media me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiç.
Siç theksoi ai, viti 2018 ishte një vit i pikave të rëndësishme, ndërsa në vitin 2019, sipas tij, ka pasur gjithashtu përparim megjithëse mund të bëhej më mirë.
Si shembull i bashkëpunimit të mirë në rajon, Hahn përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjes rajonale për roaming që është një moment i rëndësishëm në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Hahn tha se ndoshta do të largohet nga pozita aktuale, por do të mbetet i angazhuar në rajon.
Komisioneri evropian kujtoi se Serbia tani ka të hapur 17 nga 35 kapituj, si dhe dy kapituj që janë mbyllur përkohësisht.
Ai gjithashtu kujtoi se demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore janë fushat kyçe dhe se vazhdimi i strategjisë mediatike është i domosdoshëm.
Duke folur për rajonin, ai theksoi se është bërë përparim i dukshëm me Maqedoninë e Veriut dhe shprehu bindjen se shtetet anëtare do të japin dritë jeshile në tetor dhe se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të fillojnë negociatat.
I pyetur të komentojë dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Hahn tha se shpreson të ndodhin zgjedhjet në Kosovë në shtator, siç është paralajmëruar, duke shtuar se për vazhdimin e dialogut është e domosdoshme situatë e zgjidhur politike.
Nga ana tjetër, kryeministrja Brnabiç tha se, “Serbia mbetet e angazhuar sinqerisht në rrugën tonë evropiane. Ne e kuptojmë momentin në BE dhe sfidat me të cilat BE përballet, por gjithashtu kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë për të përparuar në këtë rrugë evropiane”.
Brnabiç shprehu keqardhje se “për herë të parë pas disa vitesh, bashkëpunimi rajonal është në tendencë të rënies”, ndërsa si shkak theksoi taksën e vendosur nga Kosova ndaj mallrave nga Serbia.
“Serbia mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal, nuk ka Serbi të qëndrueshme, të fortë dhe të përparuar ekonomikisht pa një rajon të fortë dhe ekonomikisht të qëndrueshëm”, shtoi ajo.


