
Ushtruesi i detyrës ndihmës sekretar shtetëror i SHBA-ve për Evropë dhe Euro-Azi, Philip Reeker, qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku ka realizuar takim me kryeministrin Zoran Zaev.
Kryeministri Zaev falënderoi SHBA-të për mbështetjen e dhënë duke shprehur mirënjohje edhe për zyrtarin amerikan, i cili më herët ka qenë ambasador i SHBA-ve në Shkup.
Zaev tha se SHBA-të kanë filluar procedurën e ratifikimit të protokollit për anëtarësim të vendit në NATO, duke shtuar se presin që deri në shtator apo tetor kjo procedurë të përfundojë.
“Për vendin tonë, mbështetja e SHBA-ve është një inkurajim i jashtëzakonshëm për aspiratat tona për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj agjendës reformuese të BE-së dhe dhamë rezultate konkrete në katër sfera, siç u kërkua nga konstatimet e BE-së në qershor të vitit 2018, kuptohet, në bashkëpunim me opozitën”, tha Zaev, duke shtuar se janë të gatshëm për bashkëpunim me opozitën edhe për çështje të tjera.
Reeker tha se SHBA-të janë të kënaqur me të arriturat e Maqedonisë së Veriut, duke përmendur Marrëveshjen e Prespës me Greqinë me të cilën u mbyll kontesti shumëvjeçar për emrin të cilën e cilësoi si “model për gjetjen e zgjidhjeve të guximshme”.
Ai tha se Komiteti për Çështje të Jashtme i Senatit të SHBA-ve ka miratuar ratifikimin e protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, duke shtuar se pret që vendi të bëhet anëtar i plotfuqishëm i NATO-s gjatë samitit që do të mbahet në Londër gjatë muajit dhjetor.
“Gjithashtu kisha mundësinë që t’ia rikujtoj kryeministrit se SHBA, edhe pse nuk është anëtare e BE-së, me të vërtetë e mbështetë Maqedoninë e Veriut në perspektivat e saja evropiane dhe duke e marrë parasysh se udhëtoj nëpër Evropë dhe takohem me homologë dhe kolegë, në takimet dypalëshe ne i inkurajojmë vendet anëtare të BE-së që të hapin bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut këtë vjeshtë”, tha Reeker.
Përpos kryeministrit Zaev, diplomati amerikan do të takojë edhe presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe me përfaqësues tjerë të jetës politike në Maqedoninë e Veriut.


