Gjithmonë jam optimist kur është fjala për arritjen e një zgjidhje në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, kurse në interes të Kosovës është që të punojë rreth zgjidhjes së marrëveshjes së obliguar ligjore, deklaroi sot në Sofje, Komisioneri Europian për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë Johannes Hahn, duke theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë europiane dhe se kjo perspektivë do të konfirmohet sot.
Para fillimit të Samitit BE – Ballkani Perëndimor në kryeqytetin bullgar, Hahn tha se strategjia e Komisionit Evropian në mënyrë të qartë potencon se ka perspektivë evropiane për të gjithë.
“Unë jam gjithmonë optimist. Strategjia e re e KE-së vë në dukje se ka perspektivë për të gjithë. Kjo do të thotë se është në interes të Kosovës që të punojë në zgjidhjen e marrëveshjes së obliguar ligjore”, tha Hahn.
Sipas tij, është arritur një shtytje dhe moment i ri për të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje sa më parë të jetë e mundur.
Duke folur për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Hahn vuri në dukje se reformat janë të nevojshme në të gjitha vendet, duke shtuar se perspektiva evropiane ishte “një forcë e fuqishme shtytëse për reformat demokratike” në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë.
“Ekziston një perspektivë evropiane e cila do të konfirmohet sot, por ajo që kemi deklaruar disa muaj më parë vlen akoma. Çdo vend duhet të përmbushë detyrat e shtëpisë dhe pastaj shfaqet perspektiva evropiane. Të gjitha vendet kanë të njëjtën perspektivë dhe pikënisjen, por ecuria është individuale dhe varet nga secili vend individualisht se sa shpejtë do të hyjë në BE”, shtoi Hahn.
Samiti i BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet sot në Sofje ka për qëllim të konfirmojë përkushtimin e Unionit për Ballkanin Perëndimor, por edhe për të theksuar nevojën për një bashkëpunim sa më të ngushtë midis vetë vendeve të Ballkanit si dhe zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Në Samit, përveç krerëve të shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare dhe zyrtarëve të lartë të BE-së, gjithashtu marrin pjesë udhëheqës nga Ballkani Perëndimor. Në Samit marrin pjesë udhëheqësit e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës. Nikoqir i takimit është kryeministri bullgar Bojko Borisov. Takimi do të kryesohet nga presidenti i Këshillit Evropian. Ai përfaqëson BE-në si dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Gjithashtu në samit merr pjesë edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini si dhe përfaqësues të Bankës Botërore./Rtv islam/


